Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka njoftuar se janë ndarë gjithsej 15 mijë e 210 euro për shpërblimin e nxënësve dhe mësimdhënësve që kanë arritur rezultate të dalluara në gara komunale dhe republikane.

Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj ka bërë të ditur se nga kjo shumë, 9 mijë e 410 euro janë ndarë për 387 nxënës, ndërsa 5 mijë e 700 euro për 39 mësimdhënës që kanë kontribuar në arritjen e këtyre rezultateve.
Ai ka theksuar se këto suksese janë dëshmi e investimit në arsim, përkushtimit të mësimdhënësve dhe punës së palodhshme të nxënësve.
Sipas Rahimajt, nxënësit janë vlerësuar për rezultatet e tyre në fusha të ndryshme, përfshirë letërsinë, sportin, atletikën dhe disiplina të tjera.
Kryetari i Kamenicës ka premtuar se komuna do të vazhdojë t’i mbështesë dhe shpërblejë nxënësit e suksesshëm, duke e cilësuar arritjen e tyre si krenari dhe të ardhme të qytetit. /Telegrafi/




