Deputeti i zgjedhur shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se mbetet të shihet nëse Lista Studentore do ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës pas formimit të qeverisë së re.

Ai ka theksuar se çështja e Kosovës vazhdon të përdoret për qëllime politike në Serbi, ndërsa ka vlerësuar se është e vështirë të fitohen zgjedhjet pa mbështetjen e elektoratit nacionalist.
Në një deklarim për Dukagjinin, Kamberi ka thënë se qeveria e re duhet të ndryshojë kursin politik dhe të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës.
Duhet pasur një fakt, në Serbi nuk mund të fitosh zgjedhje pa pasur ndihmën edhe të asaj pjesë të elektoratit nacionalist. Dhe tema për Kosovën është një ndër temat e preferuara. Do të shohim pasi të krijohet qeveria e re, a do ta mbajnë vijën e njëjtë apo do të ketë ndryshim në qasje”, ka deklaruar Kamberi.
Sipas tij, përfaqësuesit e Listës Studentore, mes të cilëve ka akademikë dhe profesorë, duhet ta kenë të qartë se pretendimet e deritanishme të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj Kosovës janë të parealizueshme.
Prandaj, do të duhej të ndryshonin kursin politik, për t’u përballur me një realitet që për 27 vjet mbretëron në Kosovë. Kosova është shtet i pavarur. Dhe në atë realitet të ndërtojë edhe raporte me Kosovën”, ka thënë Kamberi.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur në Serbi pritet formimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.
Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mbeten pjesë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.




