Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar gjendjen në shëndetësinë kosovare gjatë seancës ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po përballet me interpelancë lidhur me rastin e pacientes që vdiq nga kanceri dhe mungesën e barnave onkologjike.

Kadrijaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e sigurimeve shëndetësore, duke pyetur se kur do të nisë zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Ajo ka kërkuar nga Qeveria që shëndetësinë ta trajtojë si prioritet, duke theksuar se qytetarët po përballen me vështirësi të mëdha për sigurimin e barnave, njofton Klankosova.tv.
“Shëndetësia është çështje e dinjitetit njerëzor. A është shëndetësia prioritet i kësaj qeverie? Aman, bëjeni prioritet, se qytetarët janë në hall”, ka deklaruar Kadrijaj.
Ajo ka përmendur edhe deklaratën e një qytetari, që sipas saj humbi jetën në mungesë të barnave i cili kishte thënë: “A me jetu, a me ble barna?”.
Sipas saj, kjo deklaratë duhet t’i prekë të gjithë, përfshirë deputetët, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapa për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, njofton Klankosova.tv.





