Profesori amerikan Edward Joseph ka thënë se Kosova duhet të zhvillojë negociata me Bashkimin Evropian për shqetësimet lidhur me Gjykatën Speciale, duke e lidhur këtë çështje me anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Duke folur në podcastin “PIKË”, në një bashkëbisedim me Veton Surroin, Joseph tha se ekziston një përputhje interesash mes Kosovës, Bashkimit Evropian dhe administratës amerikane për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas tij, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i mundësonte Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku çështjet përkatëse mund të shqyrtohen brenda juridiksionit të saj.
Joseph theksoi se një marrëveshje e tillë nuk do të nënkuptonte shmangien e detyrimeve ndërkombëtare, por gjetjen e zgjidhjeve përmes dialogut me partnerët ndërkombëtarë.
Ai i cilësoi dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale si potencialisht disproporcionale, por shtoi se nuk mund të japë një vlerësim përfundimtar pa shqyrtuar provat.
Profesori amerikan kërkoi që në diskutimet për këtë çështje të përfshihen edhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore, shpenzimet e gjykatës dhe krahasimi i dënimeve me ato të Tribunalit të Hagës.
Gjykata Speciale ka dënuar katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, me gjithsej 81 vjet burgim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




