Fitorja e Listës së Studentëve në Serbi pritet të sjellë dinamika të reja politike brenda vendit dhe në rajon, ndërsa një nga çështjet kryesore mbetet qasja e qeverisë së ardhshme ndaj Kosovës dhe Dialogut të Brukselit.

Analisti serb Dushan Janjiq ka shprehur shpresën që Lista e Studentëve të mos ndjekë modelin politik të presidentit aktual serb, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se qeveria e re duhet të ndryshojë si politikat, ashtu edhe mënyrën e funksionimit.
Janjiq tha se ekipi i ri negociator do të duhet të ndryshojë dhe se qeverisë së ardhshme do t’i nevojitet kohë për t’u njohur me procesin e dialogut.
“Shpresoj se nuk do ta ndjekin metodologjinë dhe mënyrën e Vuçiqit për ta menaxhuar të gjithë situatën. Ata duhet t’i ndryshojnë politikat e tyre dhe, në veçanti, modelin e punës. Qeveria e re nuk do të jetë në gjendje të zhvillojë bisedime sekrete. Brukseli duhet t’i harrojë takimet e nivelit të lartë që mbahen me dyer të mbyllura”, deklaroi Janjiq.
Sipas tij, Lista e Studentëve duhet të ndjekë një qasje më pragmatike dhe transparente në Dialogun e Brukselit, ndërsa mënyra e zhvillimit të negociatave mund të ndryshojë me formimin e qeverisë së re.
Ndërkohë, gazetari gjerman Michael Martens e ka cilësuar programin politik të Listës së Studentëve si “të tmerrshëm”, duke argumentuar se ai pasqyron të njëjtën mendësi politike si ajo e Vuçiqit.
Janjiq foli edhe për të ardhmen e Listës Serbe, duke thënë se kjo parti do të duhet të gjejë një drejtim të ri politik pas ndryshimeve të mundshme në pushtetin në Beograd.
Sipas tij, Lista Serbe nuk do të jetë partnere as e shumicës së re parlamentare dhe as e qeverisë së ardhshme, prandaj do të duhet të rishikojë qasjen e saj politike.
“Duke parë atë që po bën Vuçiq me partinë e tij, do të thoja se ata do ta braktisin atë. Lista Serbe duhet të gjejë një qasje të re politike, sepse nuk është partnere e shumicës së re apo e qeverisë së re”, tha Janjiq./Telegrafi.




