Një vajzë gjashtëvjeçare nga Gaza, e cila pësoi djegie të rënda pasi tenda ku jetonte familja e saj u përfshi nga zjarri, rrezikon të mbetet pa një pjesë të rëndësishme të trajtimit mjekësor, për shkak të kufizimeve izraelite ndaj organizatës ndërkombëtare humanitare “Mjekët pa Kufij” (MSF).
Masa Yassin ka plagë të rënda djegieje në njërën anë të fytyrës, pas veshit, në skalp dhe përgjatë qafës. Ajo u lëndua në korrik, kur një bombol gazi për gatim shpërtheu pranë tendës së familjes së saj, duke shkaktuar zjarr.

Një pjesë e trajtimit të saj përfshin një maskë transparente, të prodhuar me teknologjinë e printimit 3D, e cila ndihmon në kontrollimin e ënjtjes dhe kufizimin e krijimit të shenjave nga djegiet.
Megjithatë, vajza së shpejti do ta tejkalojë madhësinë e maskës aktuale. MSF-ja, e cila administron klinikën e vetme në Gaza që mund të prodhojë maska të tilla, thotë se Izraeli ia ka ndaluar importimin e materialit plastik të nevojshëm për prodhimin e tyre.
“Po të mos ketë maska, vajzës sime do t’i krijohen edhe më shumë inde të mbresëzuara. Do të na duhet t’i drejtohemi operacionit në vend të maskave, ndërsa në Gaza nuk ka operacione të tilla”, ka thënë nëna e saj, Islam Yassin.
Ajo po ia rregullonte me kujdes rripat e maskës së vajzës, ndërsa të dyja qëndronin në një karrige plastike brenda tendës së tyre në një kamp në qytetin e Gazës.
Përplasja mes Izraelit dhe “Mjekëve pa Kufij”
Më shumë se një vit pas armëpushimit që ndali luftimet kryesore në Gaza, e gjithë popullata prej mbi dy milionë palestinezësh vazhdon të jetë e kufizuar në rreth një të tretën e territorit të enklavës. Shumica jetojnë në tenda të improvizuara ose ndërtesa të dëmtuara.
Forcat izraelite vazhdojnë të kontrollojnë gjithçka që hyn dhe del nga Gaza. Izraeli thotë se lejon hyrjen e të gjitha pajisjeve dhe furnizimeve të nevojshme mjekësore. Megjithatë, shumë organizata humanitare thonë se kufizimet po ua pamundësojnë ofrimin e trajtimit bazik personave më të cenueshëm, të cilët vazhdojnë të jetojnë në një zonë konflikti.
Maskat e personalizuara që MSF-ja u ofron dhjetëra personave të lënduar nga djegiet janë përfshirë në mosmarrëveshjen mes organizatës dhe Izraelit lidhur me kërkesën e këtij të fundit për informacione mbi punonjësit lokalë të organizatave të huaja në Gaza.
Izraeli ka ndaluar hyrjen e stafit ndërkombëtar të MSF-së në Gaza dhe që nga fundi i shkurtit ia ka bllokuar organizatës importimin e furnizimeve. Ky vendim erdhi pasi MSF-ja refuzoi kërkesën izraelite për të dorëzuar emrat e të gjithë punonjësve të saj lokalë në enklavë.
Organizata thotë se nuk mund t’i dorëzojë këto lista pa marrë garanci për sigurinë e stafit, duke theksuar se gjatë luftës janë vrarë qindra punonjës shëndetësorë.
Në përgjigjen ndaj kërkesës së Reutersit për koment, COGAT-i, njësia e ushtrisë izraelite përgjegjëse për koordinimin e ndihmës për Gazën, konfirmoi se i ka ndaluar importet e MSF-së për shkak të mosrespektimit të kërkesave, përfshirë dorëzimin e listave të stafit.
Sipas COGAT-it, këto informacione janë të nevojshme për të parandaluar “keqpërdorimin e ndihmës humanitare nga organizatat terroriste”.
Kjo njësi tha se organizatat e tjera humanitare i kanë përmbushur kërkesat dhe po operojnë pa pengesa. Po ashtu, pretendoi se ka miratuar hyrjen e më shumë se 24 mijë tonëve furnizime mjekësore në Gaza, duke i cilësuar si të pavërteta akuzat se po pengon ndihmën mjekësore. Sipas saj, këto pretendime përhapen nga militantët e Hamasit.
Në anën tjetër, MSF-ja këmbëngul se përmbushja e kërkesës izraelite për regjistrimin e stafit do t’i rrezikonte punonjësit e saj dhe se pasojat e kufizimeve po i vuajnë pacientët palestinezë, përfshirë fëmijët si Masa.
“Fytyra e një fëmije të gjymtuar nuk mund të marrë më as trajtimin bazik, jo sepse mungon teknologjia apo ekspertiza, por sepse Izraeli imponon një regjim në të cilin edhe shërimi vetë është privilegj”, ka deklaruar Filipe Ribeiro, shef i misionit të MSF-së për Palestinën, në një mesazh dërguar Reutersit.
Burimi: Dukagjini





