Presidenti i Izraelit ka zgjedhur Gadi Eisenkotin, rivalin më të fortë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, që të përpiqet të formojë një qeveri të re, pas zgjedhjeve të bllokuara, të cilat nuk i dhanë asnjërit prej tyre një rrugë të qartë drejt pushtetit.

Zyra e presidentit Isaac Herzog bëri të ditur se ai e kishte njoftuar Eisenkotin, liderin e partisë Yashar, të shtunën në mbrëmje “për synimin e tij që t’ia besojë detyrën e formimit të qeverisë”, raporton TheGuardian.
Në njoftim thuhet se emërimi zyrtar do të bëhet të dielën, gjatë një ceremonie në rezidencën presidenciale në Jerusalem.
Rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA mund të ndihmojnë në bashkimin e koalicionit izraelit për ta larguar Netanyahun nga pushteti.
Netanyahu po lufton për të mbetur në detyrë, pasi koalicioni i tij fetaro-nacionalist humbi shumicën në zgjedhjet e 27 tetorit, ndonëse mbeti blloku më i madh në parlament.
Nëse Eisenkot arrin të formojë një koalicion, ai do ta zëvendësojë Netanyahun në postin e kryeministrit dhe do të bëhet udhëheqësi i ri i qeverisë izraelite.
Blloku i gjerë opozitar i Eisenkotit fitoi 48 nga 120 ulëset në parlamentin izraelit në zgjedhjet e tetorit, ndërsa kampi i Netanyahut siguroi 53 ulëse, duke bërë që asnjëri të mos ketë shumicën.
Gjatë konsultimeve me partitë politike me presidentin Herzog, 66-vjeçari Eisenkot mori mbështetjen e të dy listave me shumicë arabe, të cilat tani mund të luajnë rol vendimtar në formimin e qeverisë, pasi arritën rezultate të paprecedenta në zgjedhje.
Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse blloku i Eisenkotit do ta pranonte mbështetjen e listave arabe për formimin e qeverisë.
Eisenkot, i cili shërbeu si shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë izraelite nga viti 2015 deri më 2019, synon t’i bashkojë izraelitët pas periudhës përçarëse të qeverisjes së Netanyahut, gjatë së cilës vendi është zhvendosur ndjeshëm drejt së djathtës.
Ai është zotuar të ndërmarrë masa të ashpra ndaj kolonëve ekstremistë izraelitë në Bregun Perëndimor, të cilët kanë sulmuar palestinezët pa u ndëshkuar. Eisenkot i ka cilësuar incidentet e fundit si “terrorizëm hebre”, të cilin, sipas tij, e ka mundësuar qeveria e Netanyahut.
Megjithatë, ish-zyrtari i lartë ushtarak nuk është mbështetës i paqes me çdo kusht. Ai kundërshton krijimin e një shteti palestinez dhe është zotuar t’i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza, si dhe të shkatërrojë krahun ushtarak të kësaj lëvizjeje islamiste.
Gjatë kohës kur drejtonte ushtrinë izraelite në luftën e vitit 2006 kundër Hezbollahut, Eisenkot hartoi të ashtuquajturën “Doktrina Dahiya”.
Kjo doktrinë, e emërtuar sipas një periferie të Bejrutit, e cila u dëmtua rëndë gjatë asaj lufte, nënkupton kërcënimin e Izraelit për përdorimin e forcës masive kundër infrastrukturës civile në zonat e kontrolluara nga lëvizja militante libaneze Hezbollah.
Burimi: Insajderi




