Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schübel, me të cilin ka diskutuar zhvillimet në sektorin financiar dhe procesin e integrimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Sipas njoftimit të BQK-së, gjatë takimit Ismaili e uroi ambasadorin Schübel për marrjen e detyrës së re dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në zhvillimin ekonomik e financiar të Kosovës, avancimin e reformave institucionale dhe përafrimin me standardet evropiane.
Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet kryesore në sektorin financiar, duke theksuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e tij, si dhe rolin në mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Ai gjithashtu e informoi ambasadorin për progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, forcimin e mbikëqyrjes financiare dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale.
Një nga temat kryesore të takimit ishte integrimi i Kosovës në SEPA dhe modernizimi i infrastrukturës së pagesave. Ismaili dhe zëvendësguvernatori Dardan Fusha prezantuan progresin në përmbushjen e kërkesave ligjore dhe teknike për aplikim, përfshirë ndryshimet ligjore në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe masat për luftimin e falsifikimit të parasë dhe mbrojtjen e integritetit të euros.
Sipas BQK-së, institucioni është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për kompletimin e hapave të nevojshëm për aplikim pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), në koordinim me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutua edhe zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta përmes projektit TIPS Clone, i cili synon modernizimin e shërbimeve të pagesave dhe përafrimin e tyre me infrastrukturën evropiane.
BQK-ja e konsideron integrimin në SEPA dhe avancimin drejt sistemeve evropiane të pagesave si prioritete strategjike, me synimin që qytetarët dhe bizneset në Kosovë të përfitojnë nga pagesat ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët.




