Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka kritikuar ministrin aktual, Arben Vitia, për mungesën e barnave, listat e gjata të pritjes për shërbime shëndetësore dhe problemet në menaxhimin e sistemit shëndetësor, pavarësisht buxhetit të ndarë për këtë sektor.
Ismaili, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se ndonëse Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se buxheti i ndarë është historik, kjo nuk është përkthyer në furnizim të mjaftueshëm me barna për pacientët.

Sipas tij, mungesa e barnave po u shkakton qytetarëve jo vetëm vështirësi financiare, por edhe ngarkesë emocionale, pasi ata detyrohen t’i blejnë vetë medikamentet dhe nuk kanë siguri nëse do t’i gjejnë në kohën kur u nevojiten.
“Ky është një problem shumë i madh, i cili është duke ndodhur me vite, edhe pse kemi pasur një proklamim të Qeverisë, e sidomos të Ministrisë së Shëndetësisë, që buxheti është historik, është shumë buxhet i lartë. Mirëpo, kjo nuk është përkthyer në ilaçe të cilat kanë nevojë qytetarët tanë”, ka deklaruar Ismaili për Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se rritja e çmimeve dhe inflacioni ua vështirësojnë familjeve mbulimin e shpenzimeve për barna, duke shtuar se disa prej tyre detyrohen të hyjnë në borxhe për t’i siguruar ato.
Sipas Ismailit, furnizimi me barna është një e drejtë që duhet të garantohet nga shteti dhe mungesa e tyre përbën dështim në funksionimin e sistemit shëndetësor.
Për këtë çështje, ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar që në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë të ftohen drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për të dhënë sqarime rreth problemeve me furnizimin dhe funksionimin e sistemit.
Megjithatë, sipas tij, kërkesa për ftesën e tyre nuk është miratuar, pasi është refuzuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ne e kemi ftuar drejtorin e ShSKUK-së dhe ministrin e Shëndetësisë që të vijnë. Kërkesa jonë për t’i ftuar nuk u votua. Pra, kërkesa jonë u refuzua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, ne do të vazhdojmë të kërkojmë që ata të vijnë në komisionin përkatës parlamentar dhe të përgjigjen”, ka thënë Ismaili.
Ai ka kërkuar që të shqyrtohen arsyet e mungesës së barnave, duke përmendur mundësinë e keqplanifikimit, abuzimeve, çmimeve më të larta apo problemeve të tjera në menaxhimin e institucioneve shëndetësore.
Sipas tij, qytetarët nuk duhet të përballen me pasiguri për sigurimin e barnave, ndërsa institucionet duhet të japin llogari për mënyrën se si shpenzohen paratë publike.
Ismaili ka kritikuar edhe listat e gjata të pritjes për shërbime shëndetësore, duke thënë se ato mund të jenë pasojë e mungesës së investimeve, por edhe e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe disiplinës institucionale.
Ai ka paralajmëruar se pritjet e gjata mund t’i shtyjnë pacientët drejt spitaleve private, ku për trajtim detyrohen të paguajnë shuma të mëdha parash.
“Sa herë që ka listë pritjeje, tendenca është që ajo listë të shkojë drejt spitaleve private, ku paguhen mijëra euro. Prandaj, duhet të shihet drejt se pse ka lista pritjeje: a janë rezultat i dëshirës për të abuzuar, i krijimit të korrupsionit pasiv apo i mungesës së investimeve?”, ka deklaruar ai.
Ismaili ka kërkuar transparencë nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore dhe zyrtarët përgjegjës, në mënyrë që të identifikohen problemet konkrete dhe të ndërmerren masa për përmirësimin e shërbimeve.
Ai ka vlerësuar se mungesa e transparencës i lë të pazgjidhura dyshimet për korrupsion dhe keqmenaxhim, ndërsa barra financiare vazhdon të rëndojë mbi qytetarët dhe familjet e tyre.
Burimi: Dukagjini




