Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islam ka vlerësuar se kërkesa e Milovan Drecunit që Lista Studentore të vazhdojë mbështetjen për Listën Serbe, edhe në rast të ardhjes eventuale në pushtet, përbën një sinjal të qartë të synimit të Beogradit për të ruajtur ndikimin e tij politik dhe strategjik brenda Republikës së Kosovës.

Islami përmes një postimi në rrjetin social në Faceboook ka thënë se deklarata e Milovan Drecunit, kryesues i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri në Serbi dhe një nga zërat e njohur kundërshtues ndaj shtetësisë së Kosovës, nuk duhet parë thjesht si një qëndrim politik, por si pjesë e një strategjie më të gjerë të Beogradit për të garantuar vazhdimësinë e ndikimit të tij në zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë.
“Eksponenti i regjimit të deritashëm në Serbi, Milovan Drecun, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, ka kërkuar nga Lista Studentore që, edhe pas ardhjes eventuale në pushtet, të vazhdojë mbështetjen për Listën Serbe. Drecun, i njohur për qëndrimet e tij kundërshtuese ndaj shtetësisë së Republikës së Kosovës, ka deklaruar se Lista Studentore duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Listën Serbe, të cilën ai e konsideron si përfaqësuesin e vetëm legjitim politik të serbëve që jetojnë në Republikën e Kosovës. Në deklaratën e tij, ndër të tjera, thekson: se ne kemi të vetmin përfaqësues politik legjitim të popullit serb në institucionet e Republikës së Kosovës (të cilave ai u referohet si institucione të përkohshme të vetëqeverisjes)”, ka thënë Islami.
Tutja ai tha se: “Lista Serbe, në ato institucione, duhet të luftojë për interesat dhe mbijetesën e popullit serb dhe të parandalojë Kurtin dhe të gjitha ato parti shqiptare që duan të imponojnë zgjidhje ligjore të dëmshme për mbijetesën dhe interesat e popullit serb. Përmes kësaj deklarate, Drecun synon të njësojë interesat e komunitetit serb në Republikën e Kosovës me Listën Serbe, duke e paraqitur atë si forcën e vetme politike që mbron këto interesa. Në këtë mënyrë, ai kërkon vazhdimësinë e një qasjeje politike që, sipas vlerësimit tim, ka shërbyer edhe për projektimin e interesave strategjike të Serbisë brenda Republikës së Kosovës. Në aspektin e sigurisë kombëtare, kjo deklaratë duhet analizuar në kontekstin e ndikimit politik të Beogradit, instrumentalizimit të përfaqësimit të komunitetit serb dhe rrezikut të veprimeve subverzive e hibride ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Islami.
Sipas tij, kërkesa e Drecunit, sikurse edhe qëndrimet e eksponentëve të tjerë të nacionalizmit ekstrem serb, përfshirë Veljko Odaloviqin, mund të interpretohet si përpjekje për të siguruar vazhdimësinë e politikës së deritashme të Beogradit ndaj Kosovës, pavarësisht ndryshimeve eventuale të pushtetit në Serbi.
“Në këtë kontekst, Lista Serbe, në vend që të kontribuojë në integrimin e plotë institucional të komunitetit serb, sipas kësaj analize, është instrumentalizuar për qëllime politike të Beogradit, duke krijuar pengesa për funksionimin institucional dhe duke cenuar edhe interesat afatgjata të vetë komunitetit që pretendon ta përfaqësojë. Prandaj, çështja nuk është vetëm vazhdimësia e mbështetjes politike për Listën Serbe, por rreziku i vazhdimësisë së një strategjie të ndikimit dhe destabilizimit nga brenda, që prek drejtpërdrejt sovranitetin, rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Islami. /Telegrafi/





