Sipas Admiralit Rob Bauer, ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, ka dy elemente në procesin e negociatave që duhet të garantohen në mënyrë të besueshme, përpara se Ukraina të pranojë ndonjë marrëveshje paqeje të propozuar.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për “Ukrinform”, në margjinat e një aktiviteti të veçantë të organizuar nga zyra në Bruksel e Forumit të Sigurisë së Kievit, përcjell Telegrafi.
“Mendoj se ka dy elemente që janë jashtëzakonisht të rëndësishme kur bëhet fjalë për një paqe të drejtë. Njëri është që Ukraina të mbetet një shtet vërtet sovran, i cili mund të vendosë vetë për të ardhmen dhe aleancat e tij. Dhe kjo nënkupton forca të armatosura të besueshme. Do të thotë aftësia për ta drejtuar vendin ashtu siç dëshiron populli i Ukrainës”.
“Të gjitha këto kërkesa nga Rusia, që Ukraina të mos ketë forca të armatosura të besueshme, janë të papranueshme”, citohet të ketë thënë Bauer.
Ai shtoi se, së dyti, duhet të ketë mjete të besueshme për të penguar agresorin që të pushtojë sërish.
“Shpesh flitet për garanci sigurie, por duhet të ketë mekanizma të besueshëm parandalues, për t’u siguruar që Rusia ta kuptojë se, nëse provon sërish, do të dështojë”, mendon admirali holandez.
Sipas tij, nëse nuk plotësohen këto dy kushte, është shumë e pamundur që Ukraina të jetë në gjendje të pranojë ndonjë propozim për marrëveshje paqeje.
Ai beson se edhe lëshimet territoriale mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje, por vetëm nëse plotësohen dy kushtet e përmendura më lart.
“Gjithashtu, nuk bëhet fjalë për dhurim tokash. Mund të thuhet se po pranohet mungesa e kontrollit mbi këto territore, por pa pranuar se ato janë ruse. Nuk bëhet fjalë për njohje *de jure*. Është thjesht një pranim i situatës, vetëm e vetëm për t’i dhënë fund luftës”, tha ai.
Njëkohësisht, duke iu referuar përvojës së Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, Bauer beson se është e vështirë që ndonjë opsion tjetër – përveç një mekanizmi sa më të ngjashëm me Nenin 5 të Traktatit të NATO-s – të jetë i pranueshëm.
Ndërsa duke folur për sigurinë e të gjithë kontinentit evropian, admirali theksoi gjithashtu se Ukraina duhet të bëhet vërtet “pjesë e sigurisë sonë në kuptimin e gjerë, kur bëhet fjalë për Evropën”. /Telegrafi/




