Ish-mesfushori i Real Madridit dhe Liverpoolit, Steve McManaman, ka shprehur preferencën e tij për fituesin e Topit të Artë, duke zgjedhur Kylian Mbappen para yllit të Barcelonës, Lamine Yamal.

Në një intervistë për “365Scores”, anglezi vlerësoi cilësitë e sulmuesit francez, duke theksuar se ai ka aftësinë të bëjë dallimin në ndeshjet më të mëdha dhe përvojën e nevojshme për ta përballuar presionin.
“Do ta zgjidhja Kylian Mbappen. Ai është një futbollist që mund ta bëjë dallimin dhe të shënojë gola në ndeshjet më të mëdha, ndërsa ka përvojë të mjaftueshme për ta përballuar presionin”, deklaroi McManaman.
Megjithatë, ish-futbollisti nuk i kurseu vlerësimet as për talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke pranuar se ai ka arritur të paraqitet në nivel të lartë pavarësisht moshës së re.
“Lamine Yamal është një futbollist shumë i talentuar dhe ka luajtur në nivel të lartë pavarësisht moshës së tij të re, por nëse duhet të zgjedh mes të dyve tani, do të votoja për Mbappen”, u shpreh ai.
Përveç debatit për Topin e Artë, McManaman foli edhe për “El Clasicon” e radhës mes Real Madridit dhe Barcelonës, duke parashikuar një përballje të fortë, ku vendimtare mund të jenë detajet e vogla.
Ai vlerësoi se mungesa e Vinicius Juniorit për shkak të pezullimit mund të ndikojë në lojën e madrilenëve, pasi cilësitë e brazilianit nuk mund të zëvendësohen plotësisht nga një futbollist tjetër.
“Mbappe ka cilësi të jashtëzakonshme, natyrisht, por ata janë dy futbollistë krejtësisht të ndryshëm dhe nuk mund ta zëvendësosh gjithçka që ofron Vinicius thjesht duke vendosur një tjetër futbollist në pozitën e tij”, tha ai.
Pavarësisht kësaj, McManaman beson se Real Madridi mund të dalë fitues nga përballja në “Camp Nou”.
“Shpresoj që Real Madridi të fitojë 3-1, por ta shohim se çfarë do të ndodhë. Kjo ndeshje gjithmonë i tejkalon pritshmëritë”, përfundoi ai.
Përballja mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll pritet të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ndërsa vëmendja do të jetë edhe te dueli individual mes Mbappes dhe Yamalit, dy prej emrave më të përfolur në garën për çmimet individuale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




