Ish-drejtori i FBI-së përballet për herë të tretë me akuza federale në SHBA

Ish-drejtori i FBI-së përballet për herë të tretë me akuza federale në SHBA

Ish-drejtori i FBI-së përballet për herë të tretë me akuza federale në SHBA

Ish-drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey, përballet me akuza të reja federale për zbulimin e pretenduar të informacionit të mbrojtjes kombëtare, sipas një dokumenti gjyqësor.

Sponsor 3M Express

Kjo është hera e tretë që Departamenti amerikan i Drejtësisë ndërmerr hapa për ta ndjekur penalisht Comeyn, një kritik i kahershëm i presidentit Donald Trump, transmeton Telegrafi.

Dokumenti gjyqësor prej tri faqesh nuk jep shumë hollësi për dy akuzat. Megjithatë, avokatët e Comeyt kanë deklaruar në dokumente të veçanta se çështja lidhet me zbulimin e pretenduar të informacionit të klasifikuar për gazetën The New York Times në tetor të vitit 2016, kur ai drejtonte FBI-në.

Comey i ka mohuar akuzat në një video të publikuar të hënën në platformën Substack, duke i cilësuar ato si “abuzim të tmerrshëm”. Ai tha se nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin e tij dhe se vazhdon të besojë në pavarësinë e gjyqësorit federal.

“Do të ishte pothuajse për të qeshur, po të mos ishte një abuzim kaq i tmerrshëm me Departamentin e Drejtësisë, ndaj të cilit nuk mund të mësohemi e të bëhemi indiferentë”, tha Comey.

Akuzat janë paraqitur në Uashington përmes një dokumenti të njohur si criminal information, i cili është akt zyrtar akuzues i dorëzuar drejtpërdrejt nga prokurori.

Kjo procedurë ndryshon nga aktakuza që duhet të miratohet nga një juri e madhe, e përbërë nga qytetarë që vlerësojnë nëse provat janë të mjaftueshme për nisjen e një ndjekjeje penale.

Avokati i Comeyt, Patrick Fitzgerald, tha se dy ekipe të ndryshme prokurorësh e kishin hetuar zbulimin e pretenduar të informacionit për The New York Times rreth një dekadë më parë, gjatë administratës së parë të Trumpit. Sipas tij, të dyja herët qeveria kishte vendosur se nuk duhej të ngriheshin akuza ndaj askujt.

Fitzgerald tha se dokumenti i ri gjyqësor pretendon ta akuzojë Comeyn për vepra penale që ai nuk i ka kryer. Ekipi i tij ligjor ka paraqitur një kërkesë për rrëzimin e akuzave.

Glenn Kirschner, ish-prokuror federal, i tha BBC-së se çështja mund të jetë ngritur pasi kishte kaluar afati ligjor dhjetëvjeçar për ndjekjen penale. Për këtë arsye, sipas tij, kërkesa për rrëzimin e akuzave ka “shumë gjasa” të pranohet.

Kirschner e përshkroi çështjen si një përpjekje të nxitur nga hakmarrja e Trumpit, përmes së cilës Departamenti i Drejtësisë po përpiqet të gjejë akuza që mund të qëndrojnë në gjykatë.

Trump e shkarkoi Comeyn gjatë mandatit të tij të parë, pasi ish-drejtori i FBI-së kishte hapur një hetim për pretendimet mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Që atëherë, Trump ka kërkuar vazhdimisht ndjekjen penale të tij.

Comey u akuzua për herë të parë nga një juri e madhe federale në shtator të vitit 2025, për pretendime se kishte gënjyer Kongresin gjatë dëshmisë dhe kishte penguar një procedurë parlamentare. Ai u deklarua i pafajshëm muajin pasues, ndërsa çështja u rrëzua në nëntor.

Në prill të vitit 2026, Comey iu dorëzua autoriteteve për t’u përballur me akuza që lidhen me një fotografi të publikuar për pak kohë në rrjetet sociale, të cilën prokurorët e interpretuan si kërcënim ndaj jetës së Trumpit. Fotografia, e publikuar në Instagram në vitin 2025, paraqiste guaska deti të vendosura në plazh në formën e numrave “86 47”.

Shprehja “eighty-six” përdoret në zhargonin amerikan me kuptimin “hiqe qafe”, ndërsa numri 47 i referohet Trumpit si presidenti i 47-të i SHBA-së. Prokurorët pretendojnë se publikimi nxiste dhunë ndaj presidentit. Comey ka thënë se nuk e dinte kuptimin e numrave dhe e ka akuzuar administratën për ndjekje penale me motive politike. Kjo çështje është ende në zhvillim.

Akuzat e reja ndaj Comeyt u bënë publike në të njëjtën ditë kur një gjykatës federal vendosi se Departamenti i Drejtësisë kishte vepruar në mënyrë të paligjshme kur shkarkoi vajzën e tij, Maurene Comey.

Maurene, e cila punonte si prokurore federale në Nju Jork, humbi vendin e punës në korrik të vitit 2025. Ajo paditi qeverinë, duke argumentuar se ishte shkarkuar në mënyrë të paligjshme për shkak të lidhjes familjare me të atin dhe bindjeve politike që i atribuoheshin.

Të hënën, gjykatësi urdhëroi administratën Trump ta rikthente Maurene Comeyn në detyrë dhe t’i paguante pagat e prapambetura. /Telegrafi/

Lexo edhe

Serbia me fytyra të reja, por me pretendime të vjetra: Kandidati potencial për kryeministër nuk ndryshon qëndrimin e Beogradit për Kosovën

Serbia me fytyra të reja, por me pretendime të vjetra: Kandidati potencial për kryeministër nuk ndryshon qëndrimin e Beogradit për Kosovën

Mbi 30 milionë amerikanë kanë votuar para zgjedhjeve të mesmandatit

Mbi 30 milionë amerikanë kanë votuar para zgjedhjeve të mesmandatit

Plagoset një person në Shkodër, autori ende i paidentifikuar

Plagoset një person në Shkodër, autori ende i paidentifikuar

Ish-drejtori i FBI-së përballet për herë të tretë me akuza federale në SHBA | Momenti