Fondet amerikane të investimeve në Bitcoin kanë regjistruar dalje rekord të kapitalit, pasi investitorët kanë tërhequr rreth 2.37 miliardë dollarë brenda pesë ditëve të tregtimit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Farside Investors, nga fondet ETF janë tërhequr gjithsej rreth 38.700 Bitcoinë, duke shënuar daljen më të madhe pesëditore që nga lansimi i këtyre produkteve financiare.
Në mesin e fondeve që kanë regjistruar humbjet më të mëdha është IBIT i gjigantit financiar BlackRock, një prej fondeve më të mëdha të investimeve në Bitcoin. Daljet e konsiderueshme nga ky fond tregojnë se edhe investitorët institucionalë po reduktojnë ekspozimin ndaj kriptomonedhës më të madhe në botë.
Presioni i shitjes ka bërë që investitorët mesatarë në fondet ETF të kalojnë në humbje, pasi çmimi i Bitcoin-it ka rënë nën nivelin mesatar me të cilin janë blerë aksionet e këtyre fondeve, shkruan coinmarketcap.
Sipas kompanisë analitike Glassnode, raporti ndërmjet vlerës aktuale të investimeve dhe kostos së blerjes ka rënë nën nivelin 1.0, që nënkupton se investitori mesatar tashmë është në territor negativ.
Tërheqjet e kapitalit janë regjistruar për tri javë radhazi, me më shumë se një miliard dollarë dalje gjatë secilës javë.
Analistët vlerësojnë se kjo situatë nuk lidhet vetëm me strategjitë e arbitrazhit, por edhe me vendimin e investitorëve për të zvogëluar ekspozimin ndaj rrezikut në tregun e kriptomonedhave.
Ndërkohë, analistët e Bitfinex theksojnë se rikthimi i flukseve pozitive të kapitalit në fondet ETF mund të jetë një faktor i rëndësishëm për stabilizimin e çmimit të Bitcoin-it.
Megjithatë, presioni i shitjes mbetet shqetësues, ndërsa tregu vazhdon të përballet me pasiguri dhe luhatje të mëdha të çmimeve. /Telegrafi/





