Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në katër objekte ndërtimi në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, pas konstatimit të parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit të këtij institucioni, dy nga objektet ku janë evidentuar shkelje ndodhen në Gjakovë, një në Ferizaj dhe një në Gjilan.
Inspektimet në terren kanë zbuluar mungesë të masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve, çka ka bërë që Inspektorati të nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve.
Punimet në këto objekte nuk do të lejohen të vazhdojnë deri në eliminimin e mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në terren dhe do të ndërmarrë masa ndaj subjekteve që nuk i respektojnë kërkesat ligjore për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Njëkohësisht, institucioni u ka bërë thirrje punëdhënësve që t’i zbatojnë me përpikëri standardet e sigurisë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve. /Telegrafi/




