Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka organizuar tryezë diskutimi pas publikimit të analizës “Përgjegjësia penale e përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale”, ku është diskutuar nevoja për përcaktimin e përgjegjësisë penale për përdorimin e buxhetit të shtetit për përfitime elektorale.
Qemajl Marmullakaj nga IKD-ja ka thënë se qëllimi i analizës është të përcaktojë kufirin mes përdorimit të parasë publike në funksion të qytetarëve dhe keqpërdorimit të saj për interesa të partive apo koalicioneve në pushtet.

“Qëllimi i analizës është që të përcaktojë kufirin deri ku përdorimi i parave publike dhe autoriteti qeveritar është në funksion të qytetarëve dhe kur e kalon këtë funksion. Pra, kur paraja publike bëhet element i keqpërdorimit, element i ndërlidhjes me partinë apo koalicionin në pushtet dhe i tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve. Parimi bazë është se paraja është e qytetarit dhe, si e tillë, duhet të menaxhohet nga kushdo që është në pushtet. Qeveritë duhet të vazhdojnë të mbajnë premtimet dhe të marrin vendime, por dallimi qëndron te funksioni i këtyre vendimeve”, ka thënë Marmullakaj.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e ka vlerësuar të nevojshme iniciativën për ndryshimet në Kodin Penal, duke thënë se në Kosovë ka pasur raste kur buxheti i shtetit është përdorur për fushata elektorale.
Ajo ka përmendur vendimet e Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve financiare për studentët, pensionistët, lehonat dhe kategori të tjera shoqërore, disa ditë para zgjedhjeve lokale dhe balotazhit.
“Po e quaj të nevojshme iniciativën për ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të rasteve të shpeshta që e kanë karakterizuar vendin, ku buxheti i shtetit është shpenzuar për fushata elektorale. Mendoj që përshkallëzimi më i madh ka ndodhur sidomos në dy-tre vitet e fundit, ku qeveria në detyrë, në prag të zgjedhjeve lokale dhe balotazhit, tri-katër apo katër-pesë ditë para zgjedhjeve, ka marrë vendime për të subvencionuar dhe për të ndarë mjete financiare për studentët, pensionistët, lehonat dhe kategori të tjera shoqërore. Unë nuk dua të dukem sikur Partia Demokratike e Kosovës nuk e mirëkupton faktin që këto kategori të rëndësishme shoqërore duhet të mbështeten, por kur paratë e buxhetit ndahen në këtë formë dhe legjislacioni në fuqi nuk ka një normë taksative që e sanksionon ndarjen e buxhetit të Republikës së Kosovës për nevoja të përfitimit elektoral, atëherë kemi një problem”, ka deklaruar Deliu.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar mënyrën e planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit për projektet publike.
Ajo ka bërë të ditur se në nivelin qendror janë 67 projekte me zero buxhet për vitin 2027, ndërsa në nivelin lokal janë mbi 350 projekte që, sipas saj, janë në buxhet, por nuk kanë mjete të ndara për këtë vit.
Bajrami ka thënë gjithashtu se nëpër ministri, kryesisht në Ministrinë e Financave, janë rreth 250 milionë euro fonde të paalokuara.
“Besoni ose jo, në nivelin qendror kemi 67 projekte me zero buxhet për vitin 2027 dhe në nivel lokal i kemi mbi 350 projektet të cilat janë në buxhet, mirëpo buxhetin për vitin 2027 e kanë zero. Në anën tjetër, më lejoni t’ju them se nëpër ministri të ndryshme, më së shumti në Ministrinë e Financave, janë diku rreth 250 milionë fonde të paalokuara. Në një anë kemi dhjetëra projekte që buxhetin për vitin 2027 e kanë zero. Kemi projekte ku deri tash janë shpenzuar, për shembull, 1 milion e 500 mijë euro, ndërsa në vitin 2027 janë ndarë 50 mijë euro, në vitin 2028 edhe 50 mijë dhe në vitin 2029 po ashtu 50 mijë euro. Pra, projekti mbetet të thellohet edhe për tre vitet e tjera. Pse qeveria nuk i ndau këto 150 mijë euro në vitin 2027, por ka vendosur që këtë shumë ta ndajë në tri vite vijuese?”, ka thënë Bajrami, raporton KosovaPress, transmeton Klankosova.tv.
Edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ndarjen e mjeteve financiare pak ditë para zgjedhjeve, duke thënë se mbështetja për qytetarët duhet të jetë e vazhdueshme dhe jo e kufizuar në periudha të caktuara.
Ajo ka përmendur edhe rritjen e pagave dhe pensioneve, duke vlerësuar se mbështetja duhet të jetë afatgjatë.
“Jashtë periudhës së fushatave zgjedhore nuk duhet të ketë shpërdorim të kësaj paraje, duke marrë vendime disa ditë para zgjedhjeve. Po të ishin ato vendime që do të vlenin për gjithë vitin dhe jo vetëm për një muaj, do të ishte ndryshe. Sot qytetarët ballafaqohen me probleme të ndryshme. Ndoshta 100 euro për një shportë ushqimore familjare për ta do të thonë mjaft, por jo vetëm për një muaj. Po të ishin për 12 muaj, do ta kisha mirëkuptuar më shumë. E njëjta vlen edhe për rritjen e pagave për pensionistët, punëmarrësit e administratës publike, sektorin privat dhe administratën në përgjithësi. Sa i përket rritjes së pagave, edhe në buxhetin e vitit 2027 është paraparë që rritja e koeficientit të bëhet vetëm në muajin korrik, që i bie në gjysmën e vitit”, ka deklaruar Haxhiu.
Në këtë tryezë ishte ftuar edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), por sipas Naim Jakajt nga IKD-ja, përfaqësuesit e saj nuk iu përgjigjën ftesës.





