IKD vlerëson se informacionet e bëra publike, sipas të cilave viktima kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe ishte trajtuar nga Policia si viktimë e dhunës në familje pak para vrasjes, ngrenë dyshime serioze për dështime të mundshme në mbrojtjen e jetës së saj.
Organizata kërkon që të hetohen veprimet e Policisë, Prokurorisë, Gjykatës, Qendrës për Punë Sociale dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës, ndërsa për çdo shkelje të konstatuar të ndërmerren masa konkrete penale, disiplinore dhe administrative.

IKD u ka bërë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se pritja e këtij procesi nuk duhet të pengojë llogaridhënien për rastet konkrete.
Po ashtu, ka kërkuar masa më efektive për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje dhe nga Ministria e Drejtësisë një shqyrtim të legjislacionit penal për vrasjet e grave, përfshirë mundësinë e njohjes së shprehur të femicidit.
IKD ka shprehur gatishmërinë që familjes së së ndjerës t’i ofrojë këshillim dhe përfaqësim juridik falas për të shqyrtuar mundësinë e kërkimit të përgjegjësisë së shtetit për cenimin e mundshëm të së drejtës për jetë.
Burimi: RTKLive




