Kompania kineze e teknologjisë dhe telekomunikacionit, Huawei, është shpallur fajtore për komplot për vjedhjen e sekreteve tregtare dhe mashtrim bankar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por është liruar nga akuza më e rëndë për përfshirje në një organizatë kriminale.

Vendimi u mor nga juria në një gjykatë në Bruklin, pas një procesi gjyqësor që zgjati dy muaj. Huawei u shpall fajtore për 10 nga 12 akuzat e ngritura ndaj saj, përfshirë edhe komplotin për shkeljen e sanksioneve amerikane.
BBC, njofton se prokuroria amerikane e akuzoi kompaninë se për vite me radhë kishte përdorur mashtrimin dhe vjedhjen e sekreteve teknologjike për të fituar përparësi ndaj konkurrentëve.
Nga ana tjetër, mbrojtja argumentoi se suksesi i Huawei-t ishte rezultat i inovacionit dhe punës së kompanisë, duke kundërshtuar pretendimet se ajo funksiononte si organizatë kriminale.
Pas vendimit, Huawei deklaroi se lirimi nga akuza për krim të organizuar dëshmon se pretendimet ndaj saj nuk kanë bazë faktike. Kompania bëri të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj.
Çështja ndaj Huawei-t ishte ngritur nga autoritetet amerikane në vitin 2019, pas arrestimit të zyrtares së lartë të kompanisë, Meng Wanzhou, në Kanada në fund të vitit 2018. Ajo u mbajt për tre vjet në Kanada, para se të lirohej dhe të kthehej në Kinë përmes një marrëveshjeje me prokurorët amerikanë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas BBC-së, shqiptimi i dënimit ndaj Huawei-t është planifikuar për shtator të vitit 2027. Ndërkohë, avokati i kompanisë ka paralajmëruar se Huawei pritet ta apelojë vendimin.





