Sipas njoftimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjatë takimit, Hoxha ka nënvizuar angazhimin e Qeverisë për mbrojtjen e lirive demokratike, përfshirë të drejtën themelore për manifestim paqësor.
Ai ka theksuar se dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike apo private nuk mund të pranohen si mjete legjitime të shprehjes politike apo të çfarëdo forme tjetër të shprehjes.

Në takim është diskutuar gjithashtu rëndësia e ruajtjes së stabilitetit institucional, respektimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit të ligjshmërisë e proporcionalitetit të të gjitha veprimeve të autoriteteve publike.
Hoxha ka rikonfirmuar gatishmërinë e Qeverisë për dialog në çdo kohë, kudo dhe me këdo që nuk është i përfshirë në akte dhune.
Ai e ka cilësuar dialogun si një vlerë demokratike dhe mënyrën më të mirë për të kapërcyer dallimet dhe për të adresuar shqetësimet.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, ministri ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik kombëtar.
“Momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë tonë dhe jo të na shmangin nga reformat, standardet demokratike dhe përgjegjësitë që burojnë nga ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, është shprehur Hoxha.
Në fund, ministri ka vlerësuar shkëmbimin e hapur me partnerët evropianë dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm me Shqipërinë për një të ardhme në Bashkimin Evropian.
Burimi: RTKLive




