Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë urgjente për mediat pas përfundimit të protestës së sotme në Tiranë, ku akuzoi policinë për dhunë të rëndë ndaj protestuesve.

Ai e cilësoi situatën si një “ditë dhe natë terrori”, duke pretenduar se efektivë të forcave “Shqiponja” dhe RENEA kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve dhe kanë përdorur armët në kundërshtim me rregullat.
Berisha u ndal te plagosja e një të riu, i cili, sipas tij, pësoi dëmtim të rëndë në sy, si dhe te raste të tjera të protestuesve të lënduar. Kryedemokrati denoncoi gjithashtu arrestime që i cilësoi të paligjshme dhe pretendoi se disa qytetarë janë dhunuar nga efektivët e policisë.
“Dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë torturuar, terrorizuar dhe janë marrë përdhunisht në komisariate, njerëz që s’kanë pasë asnjë lidhje me protestën. Unë sot këtu, dua t’i informoj shqiptarët se në mënyrë të përsëritur, banditë të droguar me uniformë ngacmojnë në makinat e tyre seksualisht vajzat që marrin. Për të mos thënë jo vetëm vajzat. Horra si ata nuk ka Shqipëria!”
Kreu i PD-së paralajmëroi se efektivët që, sipas tij, kanë kryer shkelje do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme, ndërsa njoftoi se Partia Demokratike do të organizojë edhe protesta të tjera kombëtare.
“Partia Demokratike pa diskutim që do të thërrasë protesta të tjera kombëtare si në mbështetje të studentëve ashtu dhe për kauzë direkt, e cila s’mund të jetë ndryshe nga ajo e studentëve, është e vërteta në këtë periudhë. Kështu që është një detyrim madhor, jo partiak, të mbështesësh ato vajza që kanë treguar një guxim të jashtëzakonshëm. Ju jeni gazetarë dhe lexoni, po ato kanë fituar një simpati botërore të paparë. Mediat e botës, rrjetet sociale në botë, ato i mbajnë flamur, edhe djemtë dhe po kështu”, përfundoi Berisha./Tv Klan




