Holanda nuk do të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision 2027, pasi transmetuesi publik NPO ka vendosur të tërhiqet për shkak të polemikave që lidhen me pjesëmarrjen e Izraelit.

Ky vendim vjen pasi muajin e kaluar ishte paralajmëruar se Holanda do të rikthehej në garë në vitin 2027.
Drejtori i medias në NPO, Jurre Bosman, ka deklaruar se pjesëmarrja e Izraelit shkakton reagime të ndryshme në shoqërinë holandeze, duke nxitur debate dhe përçarje.
Ndërkaq, kryetarja e NPO-së, Jet de Ranitz, ka bërë të ditur se, pas diskutimeve me transmetuesit, fillimisht ishte krijuar përshtypja se ekzistonte mbështetje e mjaftueshme për rikthimin e Holandës, por nuk u arrit të gjendej një mënyrë e përshtatshme për pjesëmarrje.
Për këtë arsye, sipas saj, është ende herët që vendi të rikthehet në festivalin e vitit të ardhshëm. Megjithatë, NPO ka konfirmuar se Eurovisioni do të vazhdojë të transmetohet në Holandë.
Drejtori i Eurovisionit, Martin Green, ka shprehur keqardhje për vendimin, por ka thënë se organizatorët e kuptojnë dhe e respektojnë qëndrimin e Holandës.
Holanda ishte ndër vendet që bojkotuan Eurovisionin 2026 për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, së bashku me Islandën, Spanjën, Irlandën dhe Slloveninë.
Edhe Irlanda ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në edicionin e vitit 2027, ndërsa në Spanjë është shprehur mbështetje për bojkotin. Ndërkohë, transmetuesi publik çek është tërhequr nga gara, duke përmendur shkurtimet e shpenzimeve.
Eurovisioni 2027 pritet të mbahet më 15 maj në qytetin e Burgasit, në Bullgari.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




