Dhe si e kanë zgjidhur këtë çështje shtete si Zvicra dhe Gjermania? Një ese e shkurtër për të qeshur gjatë mbi maskaradat e politikës kosovare.

Më 2019, LDK-ja protestoi kundër Hashim Thaçit, të cilin e akuzonte se, si president, kishte larguar nga dekoratat vulën presidenciale të trashëguar nga Ibrahim Rugova. Vula, sipas LDK-së, nuk figuronte as në komunikimet me ndërkombëtarët.
Në vitin 2020, Vjosa Osmani, atëbotë pjesë e LDK-së dhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, e zhvendosi fotografinë e presidentit Thaçi nga një kënd në një kënd tjetër të zyrës së saj. Në vendin prominent e vendosi fotografinë e Ibrahim Rugovës, sepse, siç tha, dëshironte të inspirohej prej tij sa herë që do të shkonte në punë. PDK-ja protestoi atëbotë, duke e akuzuar Osmanin për shkelje të ligjit. Ajo tha se ligjin e kishte shkruar vetë dhe e dinte se nuk e kishte shkelur. Një deputet i PDK-së e vendosi një portret të madh të Thaçit pas ulëses së kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani. PDK-ja protestoi edhe duke bojkotuar mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit. Pas një kohe, Osmani tha se kjo temë ishte e mbyllur.
Më 2026, LDK-ja njoftoi se kundërshton largimin e fotografisë së Ibrahim Rugovës nga Presidenca. Në të vërtetë, portreti i presidentit Rugova është zhvendosur nga një vend në një tjetër në Presidencë. Nuk e njoh hapësirën, andaj nuk mund të them nëse ka qenë deri më tani apo është tani e tutje në një vend prominent. Nuk qëndron pretendimi i LDK-së se fotografia është larguar.
Të gjitha këto raste tregojnë nivelin bukur provincial të politikës kosovare. Sipas Ligjit për Protokollin e Shtetit, neni 20, pika 3: “Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Përmasat minimale duhet të jenë 40 – 60 cm”. Formulimi “në mjediset e tyre” lë shumë hapësirë për interpretim. Ndoshta do të duhej të precizohej ligji duke shkruar në të këtë: fotografia vendoset në murin ballor. Ose në murin në anën e majtë, që të bie më mirë në sy të delegacioneve që zakonisht ulen në krahun e djathtë të bashkëbiseduesit mikpritës.
Për fotografitë e ish-presidentëve nuk ka ndonjë rregull. Ka qenë detyrë e institucioneve të Kosovës që deri më tani ta rregullojnë këtë çështje. Dr. Rugova është rast i veçantë, sepse nga fundi i viteve 1980 deri kur ndërroi jetë më 2006 i ka prirë një lëvizjeje politike, e cila kishte për synim shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe bërjen e saj Republikë. Andaj ai, për shkak të rolit historik, respektit të madh që gëzon në popull dhe si politikani më i njohur i Kosovës në botë në shekujt XX dhe XXI, meriton një vend nderi brenda institucioneve të Kosovës.
Zgjedhja që ka bërë kryeministri i Shqipërisë dhe zyrtari i lartë për çështje estetike e protokollare, Edi Rama, më duket kreative. Në zyrat shtetërore qëndron fotografia e Ismail Qemalit, përherë. Kësisoj, fotografia e tij nuk ka nevojë të ndërrohet sa herë të marrë detyrën një president apo presidente e re. Në Kosovë kjo mund të zgjidhej duke vendosur fotografinë e Ibrahim Rugovës në institucione. Por kjo duket jorealiste, për shkak se secila parti ka pretendentët e vet në krye të galerisë kombëtare. Unë e shoh në krye të kësaj galerie Ibrahim Rugovën. Të tjerët mund të kenë mendime të tjera dhe ato po ashtu meritojnë vëmendje.
Egoja e politikanëve shpesh nuk njeh kufi. Kjo vërehet edhe te insistimet e tyre për të rënë sa më shumë në sy para publikut. Kosova nuk është vend i veçantë në këtë aspekt. Në dhjetor të vitit të kaluar, gazeta gjermane BILD njoftoi se ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, kërkoi që në ambasadat e Gjermanisë në botë të vendoset fotografia e tij, krahas fotografisë së Presidentit. Arsyetimi shkaktoi të qeshura: me fotografinë e ministrit synohej që përfaqësitë diplomatike të lidheshin më mirë me qendrën dhe të mos kishin përshtypjen se janë satelite të largëta. A ndihmon një fotografi për këtë? Jo. Por Wadephul u arsyetua se edhe fotografia e ministrit të Mbrojtjes qëndronte e varur në çdo bazë të ushtrisë gjermane.
Në Gjermani, vendosja e fotografive është një praktikë e konsoliduar diplomatike, jo detyrim ligjor. Megjithatë, kjo praktikë zbatohet në mënyrë konsekuente. Fotografitë zakonisht vendosen në hyrje të ndërtesës, në hapësirat ku presin vizitorët ose në pjesët përfaqësuese të institucionit, njoftonte gazeta BILD dhe vazhdonte të shpjegonte: fotografia e presidentit federal vendoset në të gjitha përfaqësitë diplomatike gjermane në botë (ambasada dhe konsullata). Fotografia e kancelarit federal vendoset në një vend të dukshëm në Kancelarinë Federale, në hapësirat e ministrive përkatëse federale, si dhe shpesh në institucionet federale që janë drejtpërdrejt nën varësinë e Kancelarisë ose të ministrive. Fotografitë e ministrave të veçantë federalë zakonisht vendosen në ministritë që ata drejtojnë dhe në institucionet federale që janë në varësi të dikasterit të tyre.
Në Zvicër situata është më interesante. Ky vend ka shtatë ministra. Njëri prej tyre ushtron për një vit edhe funksionin e presidentit. Është i pari mes të barabartëve. Po të vendosej çdo vit në çdo institucion një portret i presidentit apo presidentes së radhës, Zvicra do të duhej të hapte një fabrikë për prodhimin e kornizave dhe një shtypshkronjë për shtypjen e portretit.
Në vend të kësaj, çdo vit publikohet fotografia zyrtare e të gjithë qeverisë, bashkë me kancelarin federal (ky është një lloj sekretari i përgjithshëm i qeverisë, jo kancelar si në Gjermani). Kjo fotografi ndryshon çdo vit. Presidenti i radhës ka rol vendimtar në konceptimin e saj. Qytetarët mund ta porosisin fotografinë dhe e marrin nëpërmjet postës. Nuk janë të obliguar ta varin ndokund.
Foto: Nathan Bugniet, Eileen Fraefel, Samantha Keller, Léo Margueron
Fotografia për vitin 2026 është publikuar më 31 dhjetor 2025. Është një ditë e veçantë. Në gazetën ku punoj (“Tages-Anzeiger” në Zürich) është një koleg shumë i talentuar, i cili përherë shkruan një ese të shkurtër, por shumë gazmore për këtë fotografi. Fotografia për vitin 2026 është realizuar në “Salon de la Présidence”. Ky është një sallon që duket si i larë në flori. Ndoshta pamja e artë ka qenë një mesazh subtil për Donald Trumpin, të cilit i pëlqen shumë ari. Të citojmë pak nga teksti i botuar në “Tages-Anzeiger” lidhur me fotografinë e anëtarëve të qeverisë:
“Dhoma quhet ‘Salon de la Présidence’ (logjikisht) dhe është të paktën po aq e artë sa Zyra e re Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Shohim: zbukurime të arta në mobilie, bordura të arta, një llambadar të stolisur me ar, një pasqyrë me kornizë të artë, fije ari në qilim, perde të arta, orë dore të arta (Martin Pfister dhe Karin Keller-Sutter), unaza të arta (dy të lartpërmendurit, si dhe Guy Parmelin dhe kancelari federal Viktor Rossi), tepete të arta dhe një dhëmb të bukur prej ari në buzëqeshjen e Albert Röstit (shaka).
Mungojnë vetëm një orë e madhe Rolex prej ari dhe një tullë ari. Por ato tashmë ndodhen në Washington”.
Këtu gazetari ironizon me vizitën e një delegacioni biznesmenësh të pasur zviceranë në Zyrën Ovale të Trumpit. Më 4 nëntor 2025, një delegacion prej gjashtë përfaqësuesish të fuqishëm të ekonomisë zvicerane u takua me presidentin amerikan. Qëllimi ishte të ndikonin në uljen e tarifave doganore amerikane ndaj produkteve zvicerane. Në atë kohë, Trump kishte vendosur tarifa prej 39 për qind për importet nga Zvicra. Delegacioni u përpoq të gjente një rrugëdalje nga konflikti tregtar dhe i dhuroi Trumpit një orë Rolex (vlera: 25 mijë franga) dhe një tullë prej ari (vlera: 100 mijë franga). Ky investim pati sukses. Më 14 nëntor 2025 u njoftua se ishte arritur marrëveshja për uljen e tarifave amerikane ndaj produkteve zvicerane nga 39 në 15 për qind.
Fotografia e qeverisë zvicerane, të cilën po e botojmë bashkë me këtë tekst, ka edhe ca veçori të tjera: duket tepër maskuline. Gjashtë burra, vetëm dy gra (të skajuara në prapavijë). Nga frika prej Trumpit, askush nga ministrat zviceranë s’ka guxuar të lidhë një kravatë të kuqe.
Në fotografi shihen edhe katër njerëz të panjohur: njëri është duke rregulluar perdet, dy po rregullojnë një dritë, tjetri qëndron para një ekrani të kompjuterit. Kush janë këta? Fotografët? Në legjendën e fotografisë përmenden autorët: janë studentë të degës së fotografisë në shkollën profesionale në Vevey të Zvicrës franceze. Kush ka shkrepur fotografinë? Dhe a janë vërtetë këta që shihen duke punuar në fotografinë zyrtare të qeverisë fotografët e rinj? Mbetet enigmë. Ah, bota mund të jetë edhe gazmore. Pse vetëm në Kosovë politikanët përlahen për fotografi?




