Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, me të cilat ka diskutuar për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të grave.
Haxhiu ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për përparësitë e agjendës gjinore parlamentare, hartimin e ligjeve nga perspektiva gjinore dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit në zbatimin e tyre.

Ajo ka shprehur përkushtimin që kjo agjendë të avancohet gjatë legjislaturës aktuale, në bashkëpunim me organizatat e grave.
“Shpreha vullnetin dhe përkushtimin tim që gjatë kësaj legjislature ta çojmë më tej këtë agjendë, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e grave, duke u siguruar që barazia gjinore të zërë vendin që i takon në punën dhe vendimmarrjen e Kuvendit”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar edhe punën shumëvjeçare të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe 106 organizatave anëtare.
“E çmoj veçanërisht punën shumëvjeçare të Rrjetit dhe të 106 organizatave anëtare, si dhe këmbënguljen e tyre për t’i kthyer të drejtat e garantuara me ligj në të drejta që gëzohen në jetën e përditshme”, ka theksuar Haxhiu.
Burimi: RTKLive




