Premiera e filmit “Hana” është mbajtur sonte (e enjte) në Cineplexx Prishtina, duke sjellë në vëmendje një nga temat më të dhimbshme të luftës në Kosovë, dhunën seksuale ndaj grave dhe traumën që vazhdon të bartet edhe sot nga të mbijetuarat.

Përmes historisë së Sarës, një aktoreje që ndihmon gratë e mbijetuara të shprehin përvojat e tyre përmes artit, filmi i regjisorit Ujkan Hysaj trajton dhimbjen, heshtjen dhe përpjekjen për shërim, duke rikujtuar se pasojat e luftës nuk përfundojnë me mbarimin e saj.
Duke folur për filmin, Hysaj ka shpjeguar se rrëfimi përqendrohet te gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës dhe te mënyra se si ato përballen me traumën në vitet e mëvonshme.
Ai ka shprehur shpresën që publiku ta mirëpresë filmin dhe të bashkë-ndjejë me kauzën që ai përcjell.
“Është një kauzë mjaft e madhe që kemi ndërmarrë për me i tregu 20.000 histori të grave të cilat janë të lëna në hije dhe në një farë mënyre nuk ka ende një lloj zgjidhje politike, po ashtu edhe në rehabilitimin shpirtëror të tyre”, ka deklaruar regjisori.
Hysaj ka theksuar gjithashtu se shoqëria ka nevojë të mos e harrojë të kaluarën, por të përballet me të përmes formave të ndryshme të artit.
Ujkan Hysaj
Pikërisht këtë synon edhe “Hana”, duke u dhënë hapësirë rrëfimeve që për një kohë të gjatë kanë mbetur të heshtura.
Ndërkaq, aktori Refet Abazi ka treguar se pjesëmarrja në këtë projekt ka qenë sfiduese që nga leximi i parë i skenarit.
Atë e ka tërhequr veçanërisht guximi për të trajtuar një temë që shpeshherë shoqëria preferon ta mbulojë.
“Më pëlqeu që artistët në Kosovë flasin për gjërat të cilat shumica e njerëzve, ose dikush, do kishte dashur që të mbulohen. Është film që u jep zë traumave të grave që e kanë përjetuar gjatë luftës”, është shprehur Abazi.
Refet Abazi
Përmes personazhit të Mrikës, aktorja Fatlume Bunjaku sjell një tjetër dimension të historisë, atë të një vajze që, pavarësisht traumave dhe sfidave, përpiqet të ecë përpara dhe të mos e mbajë më të kaluarën vetëm për vete.
Bunjaku ka treguar se personazhi i saj zgjedh ta ndajë historinë përmes artit, me shpresën se kjo do t’i ndihmojë edhe gratë e tjera.
Fatlume Bunjaku
“Mrika është prej atyre vajzave që, përkundër traumës edhe sfidave që ajo i ka përjetuar, ajo ka vullnetin e mirë për me ec përpara edhe nuk heziton me nda historinë e saj në art-qendër, në mënyrë me i ndihmu edhe me inspiru gratë e tjera për me u liru prej asaj traume”, ka thënë aktorja.
Në qendër të filmit është edhe interpretimi i Sheqerie Buçajt, e cila luan Sarën dhe Hanën, dy identitete të lidhura përmes një të kaluare të dhimbshme.
Sara është aktorja që ndihmon gratë e tjera të përballen me përvojat e tyre, por brenda saj ruan një histori që për një kohë të gjatë e ka shtypur dhe heshtur.
“Hana është pjesa e vërtetë dhe ajo e dikurshmja e Sarës, e cila e ka lënë në heshtje atë rol, diku e ka varrosur në kuptimin metaforik, që i vjen kohë pas kohe për ta treguar të vërtetën”, ka shpjeguar Buçaj.
Sheqerie Buçaj
Aktorja ka treguar se përmes art-terapisë, Sara arrin të interpretojë jo vetëm historitë e grave të tjera, por edhe historinë e saj, duke bërë një hap drejt përballjes me traumën.
“Mesazhi i krejt është që kjo arrin me i lujt historitë e grave, po arrin me lujt edhe historinë e vet përmes art-terapisë dhe çlirohet, së paku pjesërisht, prej asaj traume të tmerrshme që ka përjetuar”, ka përfunduar ajo.
Me regji nga Ujkan Hysaj, skenar të Fadil Hysajt dhe producent Kushtrim Koliqin, filmi “Hana” sjell në ekran një histori që shkon përtej rrëfimit kinematografik.
Në kastin e tij janë: Sheqerie Buçaj, Ilire Vinca, Refet Abazi, Ermin Bravo dhe Fatlume Bunjaku.
Përmes historive të personazheve, filmi rikujton rëndësinë e dëgjimit të të mbijetuarave dhe të përballjes me një të kaluar, plagët e së cilës vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe shërim. /Telegrafi/




