Grupet e hakerëve Kiberpartizany BY dhe Silent Crow pretendojnë se kanë depërtuar në sistemet e Shërbimit Federal të Statistikave Shtetërore të Rusisë (Rosstat) dhe kanë siguruar të dhëna që mund të zbulojnë përmasat e humbjeve njerëzore të Moskës në luftën kundër Ukrainës.

Sipas tyre, janë vjedhur rreth 23 terabajtë të dhëna, përfshirë dokumente të brendshme, statistika demografike dhe ekonomike, si dhe informacione për humbjet ruse në luftë.
Duke u bazuar në materialet e siguruara, grupet kanë bërë llogaritjet e tyre për numrin e të vrarëve që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Kiberpartizany BY pretendon se deri më 27 gusht 2026 janë vrarë të paktën 393 mijë e 881 shtetas rusë. Ndërkaq, Silent Crow jep një shifër më të lartë, prej 450 mijë e 100 të vrarësh, transmeton Telegrafi.
Dallimi mes këtyre vlerësimeve lidhet me metodat e ndryshme të llogaritjes. Kiberpartizany BY ka përfshirë rastet kur veprimet ushtarake ose pasojat e tyre janë shënuar si shkak i vdekjes.
Në anën tjetër, Silent Crow ka përfshirë edhe kategori të tjera, si humbjet jo luftarake në mesin e ushtarakëve, vdekjet e regjistruara si akte terroriste dhe rastet e personave të regjistruar në Rusi, por që kanë vdekur në territoret e pushtuara ose në Ukrainë, pa u përcaktuar shkaku i saktë i vdekjes.
Rusia nuk ka publikuar statistika zyrtare për humbjet në luftime që nga shtatori i vitit 2022. Për më tepër, që nga viti 2024, Rosstat ka ndërprerë publikimin e të dhënave vjetore për shkaqet e vdekjeve, duke e vështirësuar vlerësimin e ndikimit demografik të luftës.
Për krahasim, deri më 8 nëntor, baza e përbashkët e BBC Russian Service dhe Mediazona, e cila mbledh emrat e ushtarëve rusë të vrarë dhe të identifikuar, përmbante rreth 286 mijë emra. Megjithatë, kjo listë konsiderohet jo e plotë, veçanërisht për muajt e fundit të luftës.
Ndërkaq, një studim i përbashkët i Meduza-s dhe Mediazona-s, i bazuar në analizën e të dhënave të regjistrit të trashëgimisë, vlerësoi se deri në fund të vitit 2025 numri i ushtarëve rusë të vrarë ishte rreth 350 mijë.
Vlerësimet e publikuara nga hakerët janë në përputhje me disa studime të mëparshme të pavarura, por kjo nuk dëshmon automatikisht saktësinë e shifrave të tyre.
Meduza dhe Mediazona kanë njoftuar se kanë siguruar qasje në të dhënat e publikuara nga hakerët dhe kanë nisur verifikimin e tyre. Gazetarët synojnë të përcaktojnë nëse materialet janë autentike dhe sa të plota janë, duke përjashtuar edhe mundësinë e manipulimit të qëllimshëm.
Një tjetër vështirësi është se shkaqet e vdekjes të shënuara në dokumentet mjekësore nuk pasqyrojnë gjithmonë rrethanat reale. Gjithashtu, bazat e brendshme të Rosstat-it nuk përmbajnë informacione të përditësuara për personat e raportuar të zhdukur, të cilët mund të shpallen të vdekur vetëm pas një periudhe të gjatë.
Prandaj, edhe të dhënat e një institucioni shtetëror nuk mund të ofrojnë automatikisht një shifër përfundimtare të humbjeve ushtarake ruse.
Nëse autenticiteti dhe plotësia e materialeve konfirmohen, këto të dhëna mund të shndërrohen në një nga burimet më të mëdha për vlerësimin e pasojave demografike të luftës në Rusi. /Telegrafi/




