Një haker 21-vjeçar, i cili kishte sulmuar kompaninë Rockstar Games, krijuesen e videolojës së famshme “Grand Theft Auto”, është liruar me kusht, në të njëjtën ditë kur u dënua me shtatë vjet burg.

Arion Kurtaj, nga Oxfordi i Britanisë së Madhe, ishte përgjegjës për sulme kibernetike ndaj disa kompanive dhe individëve, përfshirë Rockstar Games, të cilën kishte tentuar ta shantazhonte pasi kishte vjedhur materiale nga versioni ende i papërfunduar i lojës GTA 6 në vitin 2022, transmeton klankosova.tv.
Pas shqiptimit të vendimit, gjykatësi e paralajmëroi me fjalët: “Mos lejo që kjo të ndodhë përsëri”.
Sipas BBC, Kurtaj kishte pranuar fajësinë në Gjykatën e Kurorës në Woolwich për sulmin ndaj Rockstar Games dhe disa sulme të tjera kibernetike, të kryera kur ishte 16 dhe 17 vjeç, si pjesë e grupit të hakerëve Lapsus$.
Fillimisht, ai ishte dënuar me qëndrim të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë, për shkak të gjendjes së tij të rëndë të autizmit. Megjithatë, më vonë u vlerësua se ishte i aftë të përballej me procesin gjyqësor dhe në janar u transferua në një burg të zakonshëm.
Gjykatësi vendosi që periudha e kaluar në spital dhe në paraburgim ishte e mjaftueshme, prandaj Kurtaj u lirua me kusht në ditën e shpalljes së dënimit.
Atij i është shqiptuar gjithashtu një urdhër për parandalimin e krimeve të rënda, i cili do të jetë në fuqi për pesë vjet. Ky urdhër ia kufizon aktivitetet në internet, përfshirë ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord.
Policia e Qytetit të Londrës ka deklaruar se ky rast nxjerr në pah rrezikun që të rinjtë të përfshihen në aktivitete të paligjshme përmes internetit.
Gjatë kohës që ishte në lirim me kusht dhe nën mbrojtjen policore në një hotel “Travelodge” në Bicester, Kurtaj kishte kryer sulme edhe ndaj kompanive Revolut dhe Uber.
Ai ishte vendosur në hotel për arsye sigurie, pasi hakerë rivalë e kishin kërcënuar për shkak të posedimit të një sasie të vjedhur të Bitcoin-ëve.
Edhe pse kompjuteri i tij ishte konfiskuar, Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick, të lidhur me televizorin e dhomës së hotelit, si dhe një tastierë dhe maus me Bluetooth.
Gjatë sulmit, ai vodhi të dhëna të brendshme të kompanisë, përfshirë 90 video që përmbanin afro 60 minuta pamje nga loja GTA 6, e cila në atë kohë ishte ende në zhvillim dhe mbahej nën masa të rrepta konfidencialiteti.
Më pas, ai arriti të hynte edhe në platformën e komunikimit të brendshëm të kompanisë, Slack, ku kërcënoi se do ta publikonte kodin burimor të lojës nëse Rockstar Games nuk e kontaktonte përmes Telegramit brenda 24 orëve.





