Hakerët kanë vjedhur rreth 6.3 miliardë dollarë nga Binance, platforma më e madhe në botë për këmbimin e kriptovalutave, në një nga sulmet më të mëdha ndaj aseteve digjitale.
Sipas kompanive amerikane të analizës së blockchain-it, TRM Labs dhe Chainalysis, sulmi dyshohet se është kryer nga një njësi elitare e hakerëve të lidhur me Korenë e Veriut.

Pjesa më e madhe e vjedhjes ndodhi brenda rreth 20 minutash. Metoda e përdorur ngjason me sulmin e vitit 2025 ndaj platformës Bybit, për të cilin FBI-ja kishte fajësuar Korenë e Veriut.
Binance ka ndërprerë përkohësisht tërheqjen e mjeteve, por ka siguruar përdoruesit se fondet e tyre janë të sigurta dhe se kompania do t’i mbulojë të gjitha humbjet.
Bashkëdrejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng, ka bërë të ditur se deri më tani janë identifikuar rreth tre miliardë dollarë nga asetet e vjedhura, ndërsa shërbimet e tërheqjes pritet të rikthehen brenda 48 orëve.
“Paratë tuaja janë të sigurta dhe ne po mbulojmë çdo humbje”, ka shkruar Teng në platformën X.
Ndërkohë, disa kompani që emetojnë stablecoins, përfshirë Tether dhe Circle, kanë ngrirë së bashku më shumë se 2.3 miliardë dollarë të lidhur me sulmin.
Një hetim fillestar i Binance sugjeron se sulmi mund të ketë nisur nga një kompjuter i komprometuar i njërit prej inxhinierëve të kompanisë, përmes të cilit hakerët mund të kenë siguruar qasje në sistemet e saj.
Lajmi për vjedhjen ka ndikuar edhe në tregjet e kriptovalutave. Bitcoin ra në nivelin më të ulët të gjashtë javëve, ndërsa Ethereum humbi më shumë se tre për qind të vlerës.
Analistët paralajmërojnë se sulmi mund të dëmtojë besimin e investitorëve në sigurinë e platformave të centralizuara të kriptovalutave.
Binance ka 335 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën dhe kishte rreth 162.8 miliardë dollarë asete nën kujdestari, sipas raportit të saj vjetor për vitin 2025.
Burimi: Dukagjini




