Gruaja që u vra të dielën në mbrëmje në Pejë kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet e shtetit vetëm tri ditë para se të gjendej e vdekur. Në një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Pejës, ajo kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat për ta mbrojtur.
Në letrën e saj, viktima kishte kërkuar zbatimin e menjëhershëm të një vendimi gjyqësor dhe nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e rastit, duke përmendur edhe Qendrën për Punë Sociale.

Ajo kishte shprehur shqetësimin se institucionet po bartnin përgjegjësinë nga njëra te tjetra, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte të mbetej i pranishëm.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo, duke e cilësuar letrën si shpresën e saj të fundit.Sipas Policisë, viktima kishte raportuar dhunë në familje në Stacionin Policor në Pejë rreth orës 19:00 të së dielës. Pas raportimit, bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ishte ndaluar për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se më pas gruaja ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomericë, me vullnetin e saj. Rreth orës 21:10, autoritetet ishin njoftuar se ajo ishte gjetur pa shenja jete.
Sipas informacioneve të publikuara, dyshohet se viktima ka vdekur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë. Për rastin dyshohet kunati i saj, i cili, sipas Policisë, ndodhet ende në arrati.
Pas publikimit të letrës në media, Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar në orët e para të së hënës, duke konfirmuar se më 22 tetor kishte pranuar parashtresën e viktimës, A.Z.
Sipas Prokurorisë, në këtë dokument ajo kishte kërkuar ndërmarrjen e veprimeve urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata kishin dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rastit të saj, përfshirë zbatimin e një vendimi gjyqësor.
Burimi: RTKLive




