Greva e punëtorëve teknikë, e cila ka pamundësuar mirëmbajtjen dhe pastrimin e shkollave në Prishtinë, ka bërë që prindërit në disa shkolla të kryeqytetit të bojkotojnë mësimin. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave të punëtorëve. Ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës kanë njoftuar se është arritur një marrëveshje për këtë çështje dhe se pritet që punëtorët të rifillojnë punën gjatë javës së ardhshme.
E premtja nuk ishte ditë e zakonshme mësimi për nxënësit e disa shkollave në kryeqytet. Mungesa e kushteve elementare të higjienës ka bërë që prindërit e nxënësve të shkollës “Ismail Qemali” të vendosin t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, duke bojkotuar mësimin për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe shëndetin e tyre.

Prindja Shqipe Kelmendi-Rama, njëherësh anëtare e Këshillit të Prindërve, ka thënë se vendimi për bojkotim është marrë pasi janë shteruar mundësitë për bashkëpunim dhe komunikim.
“Ky vendim nuk ka ardhur rastësisht. Kemi provuar të gjitha alternativat e mundshme të bashkëpunimit dhe komunikimit, por kjo është gjendja në të cilën kemi ardhur. Siç po shihet, në këto kushte nuk mund të zhvillohet mësimi, është alarmante. Kemi vendosur që vetëm sot ta bojkotojmë mësimin”, ka thënë ajo.
Nga Drejtoria e Arsimit kanë bërë të ditur se janë duke verifikuar nëse bojkotimi i mësimit po organizohet me qëllim nga vetë shkollat.
Përveç mungesës së higjienës, disa shkolla në Prishtinë po përballen edhe me mungesë të ngrohjes. Për këtë arsye, Këshilli i Prindërve në shkollën “Mehmet Gjevori” ka vendosur po ashtu të bojkotojë mësimin, duke ngritur shqetësimet për mungesën e pastrimit dhe ngrohjes.
Sa i përket problemit me ngrohjen, Elshani ka thënë se vështirësitë në disa shkolla lidhen me punimet e papërfunduara në kuadër të projektit për instalimin e sistemeve të reja të ngrohjes dhe rritjen e efiçiencës së energjisë.
Sipas tij, projekti ka mbetur në gjysmë, pasi Ministria e Financave ia ka bllokuar operatorit ekonomik kodin buxhetor për realizimin e pagesave.
Burimi: RTKLive




