Hetimet për rastin e koduar “Shtalla”, që lidhet me dyshimet për kultivimin e bimëve narkotike në Suharekë, kanë sjellë zhvillime të reja. Mëngjesin e së hënës, Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion me bastisje në disa objekte dhe automjete, duke arrestuar dy persona që kërkoheshin në kuadër të këtij hetimi.

Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se të arrestuarit janë Miftar Ahmetaj rreth 44 vjeqe dhe Blerton Ahmetaj rreth 19 vjeqe, ndërsa personi tjetër i dyshuar në këtë rast është Fazli Ndrecaj rreth 47 vjeq, i cili ndodhet në paraburgim që nga vetëdorëzimi i tij në mars të këtij viti.
Aksioni është realizuar më 26 tetor 2026, rreth orës 06:20, në fshatin Maqitevë të Suharekës, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren, me asistimin e Njësisë Speciale Operative dhe forenzikës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit kanë zbatuar urdhërkontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, duke kontrolluar shtëpitë, objektet përcjellëse dhe automjetet e të dyshuarve.
Gjatë bastisjeve është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmautomatike, e njohur si “dhjetëshe”, së bashku me shtatë fishekë.
Por operacioni nuk kishte për qëllim vetëm gjetjen e armëve.
Hetuesit po vazhdonin punën për zbardhjen e rastit “Shtalla”, i cili daton nga 16 shtatori 2025 dhe lidhet me dyshimet për kultivimin e paautorizuar të bimëve të kanabisit dhe posedimin e armëve.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Policia ka arrestuar në shtëpinë e tyre Miftar dhe Blerton Ahmetajn.
Ndërkohë, personi i tretë i përfshirë në këtë rast, Fazli Ndrecaj, ishte vetëdorëzuar në Polici më 27 mars 2026 dhe, sipas informacioneve të siguruara, që nga ajo kohë ndodhet në paraburgim.
Pas arrestimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Me përfundimin e intervistimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë vendim me shkrim për ndalimin e tyre për 48 orë.
Të dy janë dërguar në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor në Prizren.
Rasti po hetohet për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet lidhur me rastin “Shtalla” po vazhdojnë nga njësia kompetente në Prizren.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




