Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Performanca institucionale dhe perceptimi qytetar për sistemin e drejtësisë”.

Me këtë rast edhe është prezantuar edicioni i dhjetë i raportit RoLPIK, i cili pasqyron perceptimin e qytetarëve për funksionimin, pavarësinë dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se perceptimi i qytetarëve për pavarësinë e sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet jo i kënaqshëm, duke theksuar se ndikimi politik, politikat e ulëta ndëshkimore dhe mitmarrja janë ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve.
“Gjysma e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar që nuk kanë parë përmirësim të dukshëm në funksionimin e sistemit në pesë vitet e fundit. Kurse, kur janë pyetur për reformat në drejtësi, ata kanë preferuar që fokusi më i madh të jetë në forcimin e institucioneve ekzistuese sesa në krijimin e institucioneve të reja”, tha Arifi.
Ndërkaq, prezantimin e edicionit të dhjetë të raportit RoLPIK e bëri menaxheri i projekteve në GLPS, Liridon Salihi, i cili prezantoi të gjeturat kryesore të hulumtimit dhe perceptimin e qytetarëve për institucionet e drejtësisë.
“Çështja kryesore që trajton raporti është se sa e shohin qytetarët ndikimin e politikës në institucionet e drejtësisë. Pra, si e perceptojnë këtë qytetarët dhe çfarë tregojnë të dhënat që kemi publikuar dhe i kemi nxjerrë nga anketa me qytetarët. Rezulton se rreth 60 për qind e qytetarëve të Republikës së Kosovës vlerësojnë që institucionet e drejtësisë ndikohen nga politika. Sa u përket institucioneve që kanë më së shumti ndikim nga politika, gjykatat vazhdojnë të prijnë me 35.1 për qind, pastaj prokuroritë me 34 për qind dhe policia në vendin e tretë me 17.7 për qind”, deklaroi Salihi.
Ai foli edhe për perceptimin e qytetarëve lidhur me praninë e korrupsionit dhe ryshfetit në institucionet e drejtësisë, duke thënë se pothuajse gjysma e të anketuarve e konsiderojnë këtë dukuri të pranishme.
Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit lidhet me mungesën e përmirësimit të dukshëm të sistemit të drejtësisë gjatë pesë viteve të fundit. Sipas Salihit, rreth gjysma e qytetarëve nuk vërejnë ndryshime pozitive, ndërsa ata që kanë perceptim më pozitiv e lidhin përmirësimin kryesisht me transparencën dhe llogaridhënien.
Në raport me pavarësinë institucionale dhe mënyrën e marrjes së vendimeve gjyqësore, Salihi tha se qytetarët kanë më shumë besim në pavarësinë e Policisë së Kosovës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të kenë dyshime për ndikimet në vendimet e gjykatave.
Raporti ka trajtuar edhe perceptimin e qytetarëve për nivelin e sigurisë në vend, në një periudhë kur janë shënuar raste të shumta të dhunës dhe vrasjeve, përfshirë edhe vrasjet e grave. Salihi bëri të ditur se, në shkallën nga aspak të sigurt deri te plotësisht të sigurt, mesatarja e përgjigjeve të qytetarëve ishte 3.38.
Ai shtoi se perceptimi qytetar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore tregon se politikat ndëshkimore në këto raste kanë nevojë të rishikohen.
Salihi u ndal edhe te perceptimi i qytetarëve për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, duke vënë në pah se besimi në këtë mekanizëm vazhdon të mbetet sfidë.





