Gjykata në Ferizaj liron nga akuza Valdrin Nezirin për rastin e mashtrimit me kriptovaluta, në mungesë të provave për bashkëkryerje

Gjykata në Ferizaj liron nga akuza Valdrin Nezirin për rastin e mashtrimit me kriptovaluta, në mungesë të provave për bashkëkryerje

Gjykata në Ferizaj liron nga akuza Valdrin Nezirin për rastin e mashtrimit me kriptovaluta, në mungesë të provave për bashkëkryerje

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Valdrin Neziri, i cili akuzohej për veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje (neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës). Aktgjykimi u shpall më 23 shtator 2026 dhe u përpilua me shkrim në fillim të nëntorit 2026, ndërsa vendimi u mor në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, pasi gjykata vlerësoi se nuk është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Sponsor 3M Express

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të datës 22 maj 2026, Neziri së bashku me Artan Limanin dhe Redon Jahijën akuzoheshin se kishin vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke vënë në lajthim të dëmtuarit me emra të rremë (“Arbër” dhe “Burim”) dhe duke u paraqitur se posedonin kriptovaluta të llojit USDT për t’ia transferuar përmes portofolit digjital (“wallet”).

Rasti i parë i përshkruar në aktakuzë ka ndodhur më 17 prill 2026 në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, ku në një lokal me qira të dëmtuarve Edon Fejza, Alban Feka dhe Rrahman Kamberi u ishin marrë 12,000 euro kesh. Sipas pretendimeve të akuzës, paratë ishin futur në një çantë të gjelbër dhe ishin vendosur në një dollap me një vrimë të hapur nga pjesa e pasme drejt tualetit, përmes së cilës ishin tërhequr pa dijeninë e të dëmtuarve, të cilët më pas kishin mbetur të mashtruar.

Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik, ku pas veprimeve operative policore, gjatë organizimit të një transaksioni fiktiv për kriptovaluta në vlerë të pretenduar prej 50,000 eurosh, policia kishte arrestuar në flagrancë Artan Limanin dhe Redon Jahijën, ndërsa Valdrin Neziri ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Në raportimin e mëparshëm të medias për fazën e hetimit dhe paraburgimit, ishin përmendur gjithashtu pretendime për fshehjen e tij për rreth një javë pas arratisjes, si dhe hetime apo pretendime të tjera jashtë fokusit të drejtpërdrejtë të këtij aktgjykimi.

Aktakuza kishte përfshirë tre të akuzuar: Artan Limanin, Redon Jahijën dhe Valdrin Nezirin. Siç konstatohet në historikun e procedurës në aktgjykim, ndaj të akuzuarve Limani dhe Jahija ishin zhvilluar procedurat lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë (seancë dëgjimore më 4 shtator 2026), ndërsa procedura penale ndaj Valdrin Nezirit ishte veçuar me aktvendim të posaçëm të datës 10 shtator 2026.

Në fjalën përfundimtare në shqyrtimin gjyqësor, prokurorja e shtetit kishte propozuar që Neziri të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet sanksion penal sipas ligjit, ndërsa mbrojtja e tij kishte kundërshtuar akuzën dhe kishte propozuar lirimin e tij për shkak të mungesës së provave.

Në këtë proces gjyqësor, i akuzuari Valdrin Neziri është përfaqësuar nga avokati mbrojtës Heroit Xhemajli, i cili gjatë shqyrtimit gjyqësor ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë dhe ka kërkuar lirimin e klientit të tij në mungesë të provave.”

Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata ka vënë në pah se barra e provës për të vërtetuar fajësinë bie mbi organin e akuzës dhe se faktet inkriminuese duhet të vërtetohen me siguri të plotë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, duke zbatuar parimin in dubio pro reo në rast dyshimi.

Sipas vlerësimit të gjyqtarit të vetëm gjykues, Ilir Bytyqi, provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor — përfshirë dëshmitë e të dëmtuarve, dëshmitarëve, hetuesit policor dhe provat materiale — nuk kanë vërtetuar se Neziri ka kryer veprime të bashkëkryerjes:

Të dëmtuarit që morën pjesë në ngjarjen e Ferizajt deklaruan se nuk kishin pasur komunikim me të akuzuarin Valdrin Neziri.

Gjykata ka evidentuar se për ngjarjen në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, Neziri nuk ishte përmendur fare në dispozitivin e aktakuzës, por vetëm nga dëshmitarët, pa u vërtetuar ndonjë veprim konkret i tij apo kontribut thelbësor në atë rast.

Lidhur me ngjarjen në Kaçanik, ku dëshmitarë dhe zyrtarë policorë deklaruan se e kishin parë Nezirin pranë lokalit dhe duke vrapuar kur u afrua polici civil, gjykata çmoi se vetëm prania fizike apo shoqërimi me të akuzuarit e tjerë nuk provon vetvetiu marrëveshjen paraprake, ndarjen e roleve apo dijeninë dhe pjesëmarrjen në planin e mashtrimit.

Gjykata vlerësoi se as dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë (si shitësi i numrave të telefonit Zuke Musa, pronari i lokalit Emir Ramadani apo Rrahman Kamberi) dhe as video-incizimi i datës 17 prill 2026 nuk ofruan prova të mjaftueshme për të inkriminuar Nezirin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Me aktgjykimin lirues, të dëmtuarit Edon Fejza, Alban Feka, Getuar Avdullahu dhe Rrahman Kamberi janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, ndërsa shpenzimet procedurale penale, paushalli gjyqësor dhe taksat për kompensimin e viktimave të krimit bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur — përfshirë Prokurorinë — ka të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e marrjes së aktgjykimit me shkrim, pranë Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj. /Gazeta Insajderi/

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Güler i dërgon Konates suxhuk turk nga Turqia, francezi: Vëllai im, të dua shumë

Güler i dërgon Konates suxhuk turk nga Turqia, francezi: Vëllai im, të dua shumë

Gjykata merr vendim për Endrit Azemin, të dyshuarin që mashtroi se ishte i sëmurë dhe u mblodhën afro 190 mijë euro

Gjykata merr vendim për Endrit Azemin, të dyshuarin që mashtroi se ishte i sëmurë dhe u mblodhën afro 190 mijë euro

Lëndohet Endrick,  mungon në 20 ditët e ardhshme

Lëndohet Endrick, mungon në 20 ditët e ardhshme