Shkruan: Blerim Shala

Asgjë të natyrshme dhe të logjikshme nuk kishte në pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi.
Dikush menjëherë mund të reagojë këtu duke thënë që e natyrshmja dhe e logjikshmja janë tash e sa kohë virtyte në mungesë edhe në shtetet më të mëdha dhe më demokratike të Perëndimit.
Po, kjo është e vërtetë.
Por atypari, herët a vonë do të ndodhë kthimi tek e natyrshmja dhe tek e logjikshmja. S’ka tjetër.
Në Serbi, kjo gjendje, ky regjim ishte në fuqi mbi 14 vjet të plota, teksa pësoi rrëzimin me zgjedhjet e mbajtura këtë të diele, me 25 tetor.
Vuçiq ishte një autokrat në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ishte në armiqësi me më shumë se gjysmën e popullit të vet dhe thuaja me të gjithë rajonin, duke nisur këtu me Kosovën, ishte i afërt me Rusinë dhe Kinën, ishte i largët me BE-në, dhe vazhdimisht negocionte për ta shpëtuar veten me Washingtonin dhe Brukselin.
Ai ka bërë dëme tepër të mëdha (nuk janë të paktë ata që në Serbi i kualifikojnë këto dëme si të pariparueshme), kudo ku ka pasur rol, teksa raportet me Kosovën, i ktheu edhe në fushëbetejë konflikti të armatosur (rasti i Banjskës, shtator, 2023), dhe në përpjekje për të cytur përplasjen në mes të komunitetit serb në Veri dhe pushtetit të Kosovës.
Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja në vazhdimësi, që nga viti 2011 kur nisi dialogu në Bruksel, kanë këmbëngulur që Kosova dhe Serbia, përmes këtyre bisedimeve, duhet të mbërrinë në stadin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
Asgjë normale nuk ka sot në këtë relacione të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo dihet.
Fitorja e ’Listës Studentore’ në këto zgjedhje, pra, ishte e pritshme dhe e natyrshme, sepse Aleksandar Vuçiqit i kishte skaduar afati i përdorimit. Njësoj si Slobodan Miloševićit në vitin 2000, kur e humbi pushtetin, pasi i shkaktoi katër luftëra në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Por kjo ‘Listë’ ngadhënjeu sepse ‘Nëna natyrë’ (politike), u ngop me marrëzitë e ish-Presidentit të Serbisë, e jo për shkak që kjo Listë ofroi alternativë të mirëfilltë politike dhe madje, qytetëruese, në kundërshtim të këtij pushteti.
‘Lista Studentore’ e luftoi me të madhe regjimin e Vuçiqit, kur bëhet fjalë për pushtetin e tij në Serbi, por nuk e kundërshtoi aspak në politikën e tij të jashtme, në politikën rajonale, në marrëdhëniet e tij me Kosovën, Kroacinë, Malin e Zi. Për më shumë, bëhet fjalë për dallime që maten me nuansa në mes të Aleksandar Vučićit dhe ’Listës Studentore’.
Ka të tillë që thonë që kjo Listë nuk ka mundur të fitojë ndryshe pos me një qasje të kësisojt që i flenë mirë opinionit absolutisht mbizotërues në politikën dhe në shoqërinë serbe. Ata pastaj shtojnë që në të ardhmen, pasiqë të formohet Qeveria e re e Serbisë, do të kuptohet qëndrimi i mirëfilltë i pushtetit të ri kundruall të gjitha këtyre temave shumë të rëndësishme për stabilizmin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.
Ndoshta. Por nuk ka asnjë arsye për të mos qenë dyshues këtu tek ne, por edhe në rajon, ndaj qasjes së pushtetit të ri në Serbi, kur bëhet fjalë për politikën rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndërsa nuk ka, objektivisht, test më të mirë për pushtetin e ri në Serbi, në këtë kontekstin rajonal dhe ndërkombëtar, se sa raporti i këtij pushteti me Kosovën.
’Lista Studentore’ ka pa dyshim meritën kryesore që e zbardhi dhe e imponoi, në njëqind mënyra, më së shumti me protesta masive gjithandej Serbisë, realitetin e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit. Apo, që gjithçka në te dhe rreth tij ishte mashtrim dhe gënjeshtër.
Ndryshe, nuk do të ndodhte ndryshimi i madh në Serbi, me 25 tetor.
Njëlloj duhet të ndodhë edhe me zbardhjen dhe imponimin e realitetit të marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura.
Gjithçka tjetër është mashtrim dhe gënjeshtër.




