Gjini pas vrasjes së Arlindës: Nëse rasti kalon pa përgjegjësi, institucionet janë spektatore të krimit

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e grave që kërkojnë ndihmë.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka veçuar fjalinë që Arlinda kishte shkruar në një letër drejtuar Prokurorisë, para se të vritej: “Uroj që të mos jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Ai e ka cilësuar këtë fjali si një testament, duke thënë se Arlinda e kishte kuptuar rrezikun me të cilin po përballej.
Gjini ka përmendur edhe numrin e grave të vrara gjatë këtij viti, duke thënë se tetë raste të tilla janë dëshmi se sistemi nuk po arrin t’i mbrojë qytetarët.
“Nëse kjo vrasje kalon pa arrestime, pa shkarkime dhe pa dorëheqje të menjëhershme të atyre që e injoruan alarmin e saj, atëherë institucionet tona nuk janë më mbrojtëse të ligjit. Janë spektatore të krimit”, ka shkruar Gjini.
Në fund të reagimit, ai u ka shprehur ngushëllime familjes së Arlindës dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.
Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Ajo kishte kërkuar ndihmë nga Policia për dhunë në familje dhe ishte kthyer në shtëpi me një patrullë policore, pak minuta para se të gjendej pa shenja jete.
I dyshuari për vrasjen, kunati i saj, Albert Sylaj, është në kërkim nga Policia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




