Para Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, po raporton KOSTT, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës.

Gazetarja e Klan Kosova, Sala Gashi, e cila po e përcjellë mbledhjen, ka njoftuar se raportimi lidhet me mbikëqyrjen e financave publike.
Fillimisht, ka raportuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ishte pajtuar me gjetjet, por kishte theksuar se ato nuk kanë të bëjnë me fshehjen e informacioneve apo moszbatimin e ndonjë projekti.
“Gjatë raportimit janë paraqitur të gjitha gjetjet e auditorit, ku janë evidentuar mbivlerësime të vlerave të pasurive, pasqyrim jo i saktë i financave, paqartësi dhe mospërputhje në shifra kapitale, si dhe klasifikime jo të duhura.
Ministrja Rizvanolli është pajtuar me këto gjetje, duke thënë se raporti është nënshkruar edhe nga vetë ministria. Ajo theksoi se duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për gjetje financiare dhe se ato nuk kanë të bëjnë me fshehjen apo moszbatimin e ndonjë projekti.”
Në komision ishte paraparë të raportonin edhe nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), por përfaqësuesit e saj munguan.
Sipas gazetares, ata kishin njoftuar se nuk mund të merrnin pjesë për shkak të një vizite të jashtme.




