Legjenda e futbollit argjentinas, Jorge Valdano, ka kritikuar Lionel Messin për një veprim të bërë gjatë finales së Kupës së Botës 2026, në të cilën Argjentina u mposht nga Spanja, duke humbur mundësinë për t’u bërë kombëtarja e parë që fiton dy tituj botërorë radhazi pas 64 vjetësh.

Messi kishte zhvilluar një turne të jashtëzakonshëm në Amerikën e Veriut, ku kishte shënuar gjashtë gola vetëm në fazën e grupeve, pavarësisht se gjatë garës kishte festuar ditëlindjen e tij të 39-të.
Sulmuesi argjentinas vazhdoi të shënonte edhe në fazën eliminatore, duke realizuar kundër Kepit të Gjelbër dhe Egjiptit, për ta çuar në tetë numrin e golave në këtë Botëror. Për një periudhë të shkurtër, ai mbajti edhe rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e turneut, para se të kalohej nga Kylian Mbappe.
Megjithatë, finalja kundër Spanjës rezultoi e vështirë për kampionët në fuqi. Argjentinasit u shfaqën gjithnjë e më të frustruar gjatë ndeshjes, ndërsa Enzo Fernandez u ndëshkua me karton të kuq në minutat shtesë të kohës së rregullt.
Pas përfundimit të takimit, reagimi i futbollistëve argjentinas shkaktoi polemika, pasi disa prej tyre ia kthyen shpinën përfaqësueses së Spanjës gjatë ceremonisë së dorëzimit të trofeut.
Edhe Messi u përfshi në një episod të diskutueshëm, kur iu drejtua gjyqtarit Slavko Vincic, duke kërkuar ndëshkimin e mbrojtësit spanjoll Marc Cucurella. Ky i fundit, gjatë një shkëmbimi mes futbollistëve, kishte vendosur për një moment dorën pranë gojës.
Kapiteni argjentinas tentoi të kërkonte zbatimin e një rregulli të ri, të vendosur para fillimit të Botërorit, i cili ndalon futbollistët të mbulojnë gojën gjatë konfrontimeve me kundërshtarët.
Megjithatë, rasti i Cucurellas ishte ndryshe, pasi nuk bëhej fjalë për një përballje të drejtpërdrejtë dhe gjesti i tij nuk kishte zgjatur aq sa të fshihte atë që po thoshte.
Pikërisht këtë veprim të Messit e ka kritikuar Jorge Valdano, kampion bote me Argjentinën në vitin 1986. Në një intervistë për gazetën “El País”, ai e cilësoi reagimin e kapitenit argjentinas si shenjë dëshpërimi.
“Ishte një gjest dëshpërimi – një pranim i inferioritetit në një finale ku diferenca mes dy skuadrave ishte shumë më e madhe sesa jemi mësuar të shohim”.
Valdano foli edhe për gjendjen fizike dhe emocionale të Argjentinës para finales, duke përmendur vështirësitë që skuadra kishte kaluar në ndeshjet paraprake.
“Argjentina po vuante pasojat fizike dhe emocionale të ndeshjes së mëparshme kundër Anglisë”.
Ai rikujtoi se Argjentina kishte luajtur gjysmëfinalen 24 orë më vonë se Spanja, ndërsa gjatë rrugëtimit drejt finales kishte zhvilluar disa ndeshje të vështira, përfshirë dy takime që kishin shkuar në vazhdime dhe një përmbysje prej dy golash ndaj Egjiptit në fazën e 1/8 së finales.
Sipas Valdanos, këta faktorë ndikuan që argjentinasit të mos arrinin ta ruanin intensitetin e treguar në ndeshjet e mëparshme.
“Atyre u munguan energjia dhe vrulli që kishin treguar deri në atë pikë, ndërsa Spanja e menaxhoi ndeshjen në mënyrë të përkryer nga çdo aspekt – taktik dhe moral, nëse mund t’i japim futbollit edhe një dimension etik. Spanja nuk ra në asnjë prej kurtheve”, përfundoi Valdano.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





