Në një përballje mes dy rivalëve të vjetër, të cilët u takuan për herë të pesëdhjetë në histori, gjermanët e kanë zhvilluar një pjesë të dytë fantastike dhe e kanë siguruar kalimin në fazën e barazhit për çerekfinale të Ligës A.
Protagonisti kryesor i kësaj fitore ka qenë Brajan Gruda, i cili ka realizuar një gol dhe ka dhuruar dy asistime.

Gjermania ka kaluar në epërsi në pjesën e parë, kur Derry Scherhant ka shënuar pas asistimit të Joshua Kimmich. Futbollisti i Freiburg ka depërtuar në zonën e rreptësisë dhe me një goditje të saktë e ka dërguar topin në këndin e largët të portës.
Në pjesën e dytë, gjermanët e kanë vazhduar dominimin. Florian Wirtz ka realizuar për 2:0 me një goditje të fuortë nga jashtë zonës, ndërsa Nico Schlotterbeck ka shënuar golin e tretë me kokë, pas asistimit nga goditja e lirë e Grudës.
Më pas, Gruda ka asistuar sërish për Wirtz, i cili ka realizuar golin e dytë personal dhe të katërtin për Gjermaninë.
Rezultatin përfundimtar 5:0 e ka vendosur vetë Gruda, duke e dërguar në rrjetë topin e kthyer pas goditjes së Scherhant, e cila ishte ndalur nga shtylla.
Kjo është fitorja më e thellë e Gjermanisë ndaj Holandës në historinë e përballjeve mes tyre. Po ashtu, Holanda nuk kishte pësuar humbje kaq të rëndë ndaj asnjë kundërshtari që nga viti 1959.
Ky rezultat e ndryshoi edhe renditjen përfundimtare të grupit. Gjermania, e cila e nisi mbrëmjen në vendin e tretë, përfundoi në krye të grupit dhe siguroi kalimin në fazën tjetër.
Edhe Holanda vazhdon garën, falë bilancit më të mirë në përballjet e drejtpërdrejta me Greqinë. Kjo e fundit, pavarësisht fitores 1-0 kundër Serbisë dhe grumbullimit të njëmbëdhjetë pikëve, është bërë përfaqësuesja e parë në historinë e Ligës së Kombeve që arrin këtë kuotë dhe nuk përfundon në dy pozitat e para të grupit.
Burimi: RTKLive





