Policia ka njoftuar se është gjetur 13-vjeçari me inicialet I.Q., i cili ishte raportuar si i zhdukur më 1 nëntor, pasi ishte larguar nga strehimorja në fshatin Dardani të Ferizajt, ku ishte nën përkujdesjen e Qendrës për Punë Sociale.

Sipas njoftimit të Policisë, i mituri është gjetur në orët e para të së enjtes, më 5 nëntor rreth orës 00:15, pranë një qendre tregtare në Ferizaj.
Policia bëri të ditur se disa qytetarë e kishin vërejtur të miturin dhe më pas e kishin dërguar në stacionin policor në Ferizaj.
Gjetja e tij erdhi pas angazhimit të hetuesve rajonalë, në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale në Ferizaj dhe Deçan.
Pas intervistimit nga hetuesit dhe përfaqësuesit e QPS-së, 13-vjeçari është vendosur për strehim të përkohshëm në një strehimore të sigurt, deri në gjetjen e një zgjidhjeje nga institucionet kompetente.
Policia dhe institucionet përkatëse kanë bërë të ditur se po vazhdojnë trajtimin e rastit në përputhje me procedurat ligjore.
Burimi: Insajderi




