Shkruan: Lularta Buja

Të shohësh përtej asaj që duket në sipërfaqe dhe të mos kënaqesh me përgjigjet e gatshme është një nga aftësitë që Lindita Zeka, 25-vjeçe, e konsideron ndër pikat e saj më të forta. Si pjesë e Gjeneratës Z (Gen Z), ajo thotë se përpiqet t’i analizojë gjërat në thellësi, duke kërkuar të kuptojë arsyet, pasojat dhe këndvështrimet e ndryshme.
Megjithatë, Lindita nuk e sheh potencialin personal si garanci për sukses. Ajo pranon se ka përjetuar ndjesinë se mund të arrijë më shumë sesa rezultatet që ka arritur deri në një moment të caktuar. Por, sipas saj, kjo ndjenjë nuk duhet të kthehet në bindjen se gjithçka na takon pa mund dhe pa përpjekje.
“Ambicia ka vlerë vetëm kur shoqërohet me përkushtim”, u shpreh ajo për klankosova.tv.
Gen Z mes potencialit, ambicies dhe sfidave të realitetit
Gen Z, e cila përfshin të lindurit e viteve 1997 – 2012, është rritur në një realitet dukshëm të ndryshëm nga ai i gjeneratave para saj.
Teknologjia, qasja e menjëhershme në informacion, rrjetet sociale dhe mundësitë për zhvillim personal kanë ndryshuar mënyrën se si të rinjtë mësojnë, komunikojnë dhe e ndërtojnë identitetin e tyre.
Antropologia dhe Profesoresha Universitare, Zanita Halimi për klankosova.tv tha se veçantia e Gjeneratës Z qëndron në ndërthurjen e përvojës historike të trashëguar nga prindërit me realitetin e ri digjital dhe shoqëror në të cilin është rritur.
“…Në kontekstin e Kosovës, një pjesë e këtij brezi ka lindur gjatë viteve të rezistencës, në periudhën e luftës ose menjëherë pas saj, ndërsa ka përjetuar edhe procesin e pavarësimit të vendit. Duke u rritur në familje ku prindërit kanë qenë pjesë e përvojave të rezistencës dhe ndryshimeve të mëdha shoqërore, ky brez është ndikuar nga kujtesa historike dhe nga vlerat e përcjella ndërmjet gjeneratave…”, tha mes tjerash ajo.
Sipas Halimit, Gen Z në Kosovë karakterizohet nga një vetëdije e theksuar për çështjet sociale. Sipas saj, ata kanë një ndjeshmëri më të madhe ndaj padrejtësive dhe një interesim për temat që lidhen me barazinë, të drejtat e njeriut, identitetin dhe ndryshimet shoqërore.
Psikologia Lule Alidema, për klankosova.tv potencoi se të rinjtë e sotëm përballen me një numër shumë më të madh mundësish sesa gjeneratat e mëparshme. Por, pikërisht kjo shumësi mundësish mund të krijojë edhe vështirësi.
“…Më përpara dominimi ka qenë më lehtë i arrirë, më pak mundësi, ndryshe nga sot që mundësitë e shumta ua imponojnë të rinjve shpërndarjen nëpër shumë aktivitete. Vetë shpërndarja sjellë produktivitet më të ulët në arritjen e një fokusi ndoshta më me rëndësi se sa mundësia tjetër. Kjo mund të ndikojë në uljen e vetëbesimit…”, tha Alidema.
Sipas rezultateve të një studimi të vitit 2026 i realizuar nga “Walton Family Foundation” në partneritet me “Gallup”, 55 për qind e nxënësve të Gjeneratës Z ndihen sikur po ecin mirë në jetë, ndërsa te të rinjtë e kësaj gjenerate, që tashmë janë në moshë madhore, kjo përqindje bie në 38 për qind.
Një hulumtim i vitit 2026 i Shoqatës Kombëtare të Kolegjeve dhe Punëdhënësve (NACE) e ShBA-së, që bazohet në të dhënat e më shumë se 17 mijë studentëve universitarë në Amerikë, shqyrton kompetencat që lidhen me përgatitjen për tregun e punës.
Një prej gjetjeve interesante është se studentët kanë më shumë besim në njohjen e pikave të tyre të forta dhe të dobëta sesa në aftësinë për të identifikuar e siguruar mundësi konkrete zhvillimi profesional apo për të ndërtuar rrjete profesionale.
Sipas psikologes Alidema, zhvillimet e shpejta nëpër kohë ndikojnë në ndryshimin e botëkuptimit të të rinjve dhe ua pamundëson atyre që të bëjnë planifikime afatgjata.
“…Zhvillimet e shpejta nëpër kohë ndikojnë edhe në ndryshimin e botëkuptimit të të rinjve: motivin, pritshmëritë, edukimin etj. Vetë koha sot nuk lë hapësirë për planifikime afatgjata, gjë që kësaj dinamike detyrimisht iu nënshtrohet brezi i ri…”, theksoi ajo.
Lindita Zeka, si pjesë e Gen Z, e konsideron këtë gjeneratë si një brez me potencial të madh dhe aftësi për t’u përshtatur me ndryshimet e kohës, por theksoi se pritshmëritë e tyre me mundësitë reale, nuk ecin në të njëjtin ritëm.
“Ndonjëherë pritshmëritë tona ecin më shpejt sesa mundësitë reale, sepse duam rezultate të shpejta në një botë që kërkon durim, përvojë dhe përkushtim”, tha Zeka.
Potenciali i Gen Z po shfaqet edhe përtej ambicieve individuale, në mobilizimin shoqëror. Vetëm gjatë javëve dhe muajve të fundit, të rinjtë e kësaj gjenerate kanë dalë në protesta në Shqipëri, Francë, Gjermani, Itali dhe vende të tjera evropiane, por edhe më gjerë, duke kundërshtuar korrupsionin, mungesën e perspektivës, kostot e jetesës dhe problemet në arsim. Madje një lëvizje e këtillë solli ndryshim të pushtetit në Serbi. Këto lëvizje dëshmojnë se Gen Z nuk dëshiron vetëm të flasë për të ardhmen që meriton, por edhe të kërkojë ndryshimin e saj. /Klankosova.tv




