Gazetari serb Radomir Dimiq ka paralajmëruar se Serbia mund të përballet me kaos politik dhe dhunë pas zgjedhjeve të së dielës, nëse si presidenti Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe studentët opozitarë shpallin fitoren.
Në analizën e tij të titulluar “Kaos zgjedhor në Serbi: Demokraci apo diktaturë?”, Dimiq vlerëson se rezultati i zgjedhjeve mund të shkaktojë protesta masive, veçanërisht nëse njëra palë refuzon ta pranojë humbjen.

“Dy skenarë, i njëjti kërcënim për gjakderdhje”, shkruan ai, duke iu referuar mundësisë që Vuçiqi të shpallë fitoren pavarësisht rezultatit ose të refuzojë dorëzimin e pushtetit në rast të humbjes.
Shkrim i plotë:
KAOS ZGJEDHOR NË SERBI: DEMOKRACI APO DIKTATURË?
Të dielën, si SNS-ja, ashtu edhe studentët do të shpallin fitoren. Ja skenari nëse Vuçiqi e bën këtë i pari. Sipas të gjitha parashikimeve, pavarësisht rezultatit, Serbia me shumë gjasë do të përballet me kaos, e ndoshta edhe me dhunë. Çështja kryesore e zgjedhjeve të së dielës në Serbi nuk është se kush do të fitojë, por kush do ta parandalojë kundërshtarin duke u shpallur i pari fitues. Për fitore janë të bindur si Aleksandar Vuçiqi, ashtu edhe studentët, me dallimin se Vuçiqi ka më shumë mekanizma për manipulime dhe mashtrime. Kundërshtarët janë të bindur se Vuçiqi do t’i falsifikojë zgjedhjet.
Sipas tyre, Vuçiqi tashmë ka siguruar më shumë se 100 mijë vota nga e ashtuquajtura diasporë rajonale – në Republikën Srpska, Mal të Zi dhe Kosovë – ndërsa nuk do të ngurrojë të përdorë as “votimin e shumëfishtë” të simpatizantëve të tij. Dhe më pas fillon rrëmuja dhe kaosi, që mund ta kthejë Serbinë te politika që ishte instaluar në Jugosllavi që nga mesi i viteve ’80 të shekullit XX. Ai, me shumë gjasë, do ta shpallë fitoren pavarësisht rezultatit, por studentët, përkatësisht kundërshtarët e tij, nuk do ta njohin atë dhe do të shpallen edhe vetë fitues. E tillë është klima dhe fryma që mbizotëron në shoqërinë dhe opinionin publik serb, gjë që mund ta çojë Serbinë deri në prag të luftës civile.
Imagjinoni Vuçiqin duke shpallur fitoren, studentët që vërshojnë rrugët dhe policinë që nis përballjen me ta. Pastaj imagjinoni që Vuçiqi t’i humbasë zgjedhjet, por aparati i tij represiv të refuzojë dorëzimin e pushtetit. Dy skenarë, i njëjti kërcënim për gjakderdhje. Kushdo që të fitojë, Serbia, fatkeqësisht, mund të zgjohet mes shkopinjve të gomës të policisë, gazit lotsjellës dhe gjakut. Por studentët absolutisht nuk do të dorëzohen dhe as nuk do të heqin dorë nga fitorja e tyre. Ata nuk kanë luftuar kot për dy vjet, për të pranuar tani qetësisht humbjen. Prandaj, nuk duhet përjashtuar as skenari i një “revolucioni”. Nëse kjo ndodh, atëherë në Serbi gjithçka është e mundur. Të gjithë do t’i mbrojnë pozicionet e tyre, sepse e dinë se fituesit nuk do të kenë mëshirë ndaj të mundurve. Sipas të gjitha parashikimeve, Serbinë pas zgjedhjeve, pavarësisht rezultatit, me shumë gjasë e pret kaosi, ndoshta edhe dhuna me intensitet më të madh ose më të vogël. Ky do të jetë kulmi i politikës shumëvjeçare serbe. Rrethi po mbyllet dhe çrregullimi po kthehet aty ku ka filluar.
Pjesa më e madhe e opinionit publik serb ka frikë se Serbia mund të zhytet në një krizë afatgjatë, në prag të përplasjeve, pikërisht sepse asnjëra palë – as Vuçiqi dhe as studentët – nuk ka ndërmend të lëshojë pe. Është vështirë të besohet se cilado prej palëve do ta pranojë qetësisht humbjen në një shoqëri kaq të polarizuar, e cila, për ta bërë absurdin edhe më të madh, në shumë çështje ka qëndrime pothuajse identike. Kjo vlen veçanërisht për politikën ndaj rajonit (Kosovës, Malit të Zi dhe Republikës Srpska), ndaj Evropës (shumica e qytetarëve nuk e mbështesin anëtarësimin në BE) dhe ndaj Rusisë (as studentët nuk janë për vendosjen e sanksioneve). Çfarë skenari mund të na presë në këtë rast? Shkurt, një skenar ogurzi. Gjithçka është në duart e policisë dhe ushtrisë. SONDAZHET E PAQARTA Mund të supozohet se të dyja palët do ta shpallin fitoren e tyre edhe para publikimit të rezultateve, të cilat, sipas sondazheve të fundit të opinionit publik, pritet të jenë shumë të ngushta. Disa pretendojnë se lista e Aleksandar Vuçiqit do të marrë 45 për qind të votave, ndërsa sondazhe të tjera tregojnë se pikërisht kaq do të marrë lista studentore. Për fitoren e studentëve, pjesëmarrja në zgjedhje, siç thuhet, duhet të jetë të paktën 65 për qind.
Një pjesëmarrje e tillë mund të pritet në një situatë kur të dyja palët janë të bindura në fitoren e tyre. Aleksandar Vuçiqi nuk do të lejojë të rrëzohet nga pushteti. Ai nuk do ta njohë dhe as nuk do ta pranojë humbjen, e aq më pak do ta dorëzojë pushtetin. Për të dhe njerëzit e tij, këto zgjedhje janë çështje mbijetese, ekzistence, madje edhe lirie, duke pasur parasysh se tashmë po kërcënohen me burg.
Në fakt, zgjedhjet janë referendum për Aleksandar Vuçiqin. Pasi njëra apo tjetra palë ta shpallë fitoren, duke gjykuar nga atmosfera aktuale, rrugët e Beogradit, e ndoshta edhe të qyteteve të tjera, para së gjithash të Novi Sadit, prej nga nisi kjo “revolucion kundër Vuçiqit”, do të mbushen me njerëz. Studentët ose do të festojnë, ose do të protestojnë kundër vjedhjes së zgjedhjeve nga Vuçiqi, të cilën tashmë po e paralajmërojnë. Një mundësi e tillë nuk mund të përjashtohet, sepse, siç thamë, Vuçiqi nuk ka ndërmend ta dorëzojë pushtetin, e sidomos jo në mënyrë paqësore. Prandaj, pyetja më e rëndësishme është se si do të pozicionohet aparati represiv, i cili aktualisht paraqitet si mbështetës i regjimit. Në rast se Vuçiqi shpall fitoren, protestat, me shumë gjasë, do të përshkallëzohen dhe radikalizohen.
Në këtë situatë të ndërlikuar, shtrohet pyetja nëse studentët janë të gatshëm për një “sulm të dëshpëruar” ndaj bastioneve të pushtetit të Vuçiqit, nga ato politike deri te ato mediatike. Po ashtu, shtrohet pyetja nëse Vuçiqi do të vendosë për një Tiananmen serb, gjë për të cilën tashmë po e nxit rrethi i tij i radikalizuar klientelist, që po mbron pozitat fitimprurëse të siguruara gjatë pushtetit. Prandaj, gjithçka varet nga qëndrimi që do të mbajë aparati represiv dhe nga pala që do të zgjedhë të mbështesë. A do t’i mbeten besnike Vuçiqit këto struktura represive dhe pararepresive, dhe për sa kohë? Të kujtojmë se ato shumë shpejt ia kthyen shpinën edhe Slobodan Millosheviqit. Dhe çfarë ndodh pastaj? Pikërisht këtu qëndron paradoksi. Nëse supozojmë se rrugët e Beogradit do të vërshohen nga njerëzit, shtrohet pyetja se si do të reagojë Vuçiqi.
Në fakt, si do të veprojnë xhandarmëria, njësitë speciale, ushtria dhe skuadronet e tij paramilitare me pagesë, për të cilat shumë analistë serbë thonë se tashmë janë në gatishmëri? A do ta rrezikojnë ata jetën për Vuçiqin, apo do të veprojnë njësoj si atëherë kur ia kthyen shpinën Slobodan Millosheviqit? Nuk duhet harruar një fakt shumë i rëndësishëm: kur po binte Millosheviqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e mbështetën atë proces dhe ishin plotësisht në anën e opozitës. Nëse Vuçiqi fiton, përkatësisht shpall fitoren, pushteti i tij do të jetë shumë i brishtë, nëse arrin fare ta formojë atë.
Për të mbijetuar politikisht, ai do të detyrohet të përdorë metoda putiniste, gjë që vështirë se do t’i pëlqejë Brukselit, i cili, çuditërisht, po tregohet mjaft indiferent ndaj zgjedhjeve. Madje, deri diku, duket se anon nga Vuçiqi, i cili praktikisht është një antievropian i hapur. Por nuk e dimë as çfarë do të fitojmë nëse studentët vijnë në pushtet, përveç faktit se Vuçiqi, ky autokrat patologjik, nuk do të jetë më në krye të shtetit. Agjenda e tyre e vetme ka qenë rrëzimi i Vuçiqit dhe zbatimi i lustracionit, por pyetja është nëse kanë kapacitete të mjaftueshme organizative dhe logjistike për ta realizuar këtë. Kush e kontrollon aparatin që duhet ta zbatojë këtë proces, para së gjithash policinë dhe drejtësinë, të cilat janë plotësisht në duart e Aleksandar Vuçiqit? Natyrisht, edhe kjo mund të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Të paktën ne në Ballkan e dimë shumë mirë se sa lehtë ndërrohen qëndrimet dhe besnikëritë politike, varësisht nga drejtimi i erës.
Ekziston edhe një skenar tjetër i mundshëm, në rast se studentët fitojnë me një diferencë të madhe, siç paralajmëruan në tubimin e tyre të fundit parazgjedhor të enjten, ku morën pjesë mbi 200 mijë njerëz. Ky skenar është arratisja e Vuçiqit. Ai e kupton se mund të përballet me përgjegjësi për shumë gjëra, çka atij dhe njerëzve të tij vetëm sa ua shton motivimin për të mos u dorëzuar aq lehtë. Ata e dinë se mund t’i presë burgu. Prandaj, nuk duhet shpërfillur as mundësia që diku, në një pistë dytësore të aeroportit të Batajnicës, ndoshta tashmë të jetë duke pritur një avion transportues rus Antonov, i mbushur plot, që do ta dërgojë Vuçiqin drejt një strehe më të qetë, në Minsk ose Moskë. Pra, nga e hëna, në Serbi gjithçka është e mundur. Të gjitha opsionet janë të hapura, por më së shumti ato ogurzeza.
Megjithatë, zgjedhjet në Beograd dhe pasojat e tyre mund të ndihen shumë larg, edhe përtej kufijve të Serbisë. Bashkimin Evropian e shqetëson fakti se Serbia përfaqëson një pikë të cenueshme të mbrojtjes evropiane në Ballkan, përkatësisht një hapësirë më të gjerë ku Rusia mund të ushtrojë presion të konsiderueshëm. Aktivistët studentorë dhe mbështetësit e tyre janë të zhgënjyer nga ajo që e perceptojnë si indiferencë të Bashkimit Evropian ndaj luftës së tyre politike.
Në të njëjtën kohë, ata përballen me bindjen e përhapur jashtë vendit se demokracia në Serbi është një kauzë e humbur. Prandaj, të dielën ata synojnë të dëshmojnë se vlerësime të tilla janë të gabuara.
Burimi: Dukagjini




