Gazetari i Klan Kosova, Kastriot Tahiri ka raportuar direkt nga vendi i ngjarjes ku mbeti e vrarë Arlinda Zekaj mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës.

Përmes emisionit “Kosova Today”, Tahiri bëri të ditur se në vendin e ngjarjes, sipas banorëve, ka pasur forca të shtuara të policisë, transmeton Klankosova.tv.
“Nga ajo që kemi kuptuar këtu në vendin e ngjarjes, është thënë nga vetë banorët përreth se në hyrje të rrugës ka pasur policë të shtuar në mëngjes, ndërkaq edhe mbrëmë këtu kanë qarkulluar vetura të policisë”, tha Tahiri.
Sipas gazetarit, mes Zekajt dhe bashkëshortit të saj kishte pasur mosmarrëveshje edhe më parë, ndërsa jeta e saj u shua nga dora e kunatit.
I njëjti është shpallur në kërkim nga ana e Policisë së Kosovës.




