Analisti Astrit Gashi ka deklaruar se ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duhet të shkarkohen për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Duke folur në Debat Plus në TV Dukagjini, Gashi ka thënë se dorëheqja nuk është më e opsion dhe se dy ministrat duhet të shkarkohen, ashtu siç po kërkojnë edhe protestuesit.

“Për dorëheqje është shumë vonë. Dy të cilët duhet të shkarkohen. Ministrja e Drejtësisë dhe ministri i brendshme. Njëjtë siç po e kërkojnë protestuesit.
Të paktën këta sepse po e them një gjë, nuk është vetëm Donika Gërvalla ministre e Drejtësisë në këtë rast, deri para do kohe ka qenë një person tjetër ministre e Drejtësisë, Donka Gërvalla është vetëm në këtë mandat. Ndërsa Xhelal Sveçla e trashëgon mandatin”, ka deklaruar Gashi.
Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Pejë ka nxitur reagime publike dhe protesta, ku po kërkohet përgjegjësi institucionale për mënyrën se si u trajtuan raportimet e saj për dhunë në familje dhe kërkesat për mbrojtje.
Në kuadër të hetimeve institucionale për rastin, Inspektorati Policor i Kosovës ka evidentuar lëshime në trajtimin e rastit dhe ka rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë. Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri.
Burimi: Dukagjini




