Vetëm dy ditë pas ceremonisë së Topit të Artë, revista franceze France Football ka prezantuar një çmim të ri të quajtur B.O.A.T. (Më i Miri i Topave të Artë të të Gjitha Kohërave), i krijuar për të përcaktuar fituesin më të mirë të këtij trofeu në histori. Fitues është shpallur Cristiano Ronaldo me edicionin e vitit 2008.

Ky ishte Topi i parë i Artë në karrierën e portugezit, i cili në votim ka lënë pas versionin e vitit 2012 të Lionel Messit. Dy yjet e futbollit botëror kryesojnë listën e 12 edicioneve më të votuara, ndërsa pas tyre renditet Ronaldo Nazario me Topin e Artë të vitit 2002.
Për këtë çmim të veçantë, France Football ndryshoi mënyrën tradicionale të votimit. Në vend të gazetarëve, ishin përdoruesit e revistës ata që votuan për edicionin më të mirë të Topit të Artë në histori.
Në garë u përfshinë të gjithë futbollistët që e kanë fituar këtë çmim të paktën dy herë gjatë karrierës së tyre. Votuesit duhej të zgjidhnin një edicion të caktuar, si për shembull Messin e vitit 2012 apo Ronaldon e vitit 2008.
Lista e kandidatëve përfshinte emra të mëdhenj të historisë së futbollit, si Messi, Ronaldo, Ronaldo Nazario, Marco van Basten, Michel Platini, Karl-Heinz Rummenigge, Kevin Keegan, Franz Beckenbauer, Johan Cruyff dhe Alfredo di Stefano.
Megjithatë, pjesëmarrja në këtë votim nuk ishte falas. Çdo votë kushtonte një euro, ndërsa pjesëmarrësit kishin mundësinë të fitonin dy bileta për ceremoninë e Topit të Artë të vitit 2027.
Sipas mediumit francez, 5 mijë e 9 persona votuan më shumë se një herë. Prej tyre, 44 votues morën pjesë nga 10 deri në 26 herë, 300 votuan nga pesë deri në nëntë herë, ndërsa 4 mijë e 665 persona votuan nga dy deri në katër herë.
Kështu, edicioni i vitit 2008 i Cristiano Ronaldos u përzgjodh si më i miri në historinë e Topit të Artë, në një votim të organizuar nga vetë revista France Football./Telegrafi/




