Nisma vjen në një kohë kur përdorimi i kësaj teknologjie në letërsi po nxit debate mbi autorësinë, origjinalitetin dhe kufijtë e krijimtarisë njerëzore.
Konkursi është i hapur për të gjithë, pavarësisht përvojës letrare apo shtetësisë. Kushti kryesor është që veprat të jenë të pabotuara dhe të shkruara në gjuhën frënge, ndërsa dorëzimi i tyre mund të bëhet deri në fund të nëntorit.

Çmimi mban emrin e Blaise Pascalit (1623–1662), matematikanit, fizikanit, filozofit dhe teologut francez, i njohur për veprën “Pensées” (“Mendime”) dhe për kontributin e tij në zhvillimin e makinave mekanike llogaritëse. Organizatorët e konkursit e paraqesin Pascalin si një figurë që ndërthurte përparimin teknologjik me mjeshtërinë e gjuhës.
Inteligjenca artificiale, në qendër të debatit letrar
Krijimi i “Prix Pascal” vjen në një periudhë kur industria e librit po përballet me pikëpyetje të reja mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e shkrimit. Debati përqendrohet te roli i autorit njerëzor, shkalla e përfshirjes së teknologjisë dhe kriteret me të cilat duhet të vlerësohen veprat e realizuara me ndihmën e saj.
Polemika u shtuan edhe pas rastit të shkrimtarit kanadezo-haitian Thelyson Orelien, romani i të cilit u përjashtua në shtator nga gara për çmimin prestigjioz francez “Prix Goncourt”, mes dyshimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Botuesi kanadez i autorit ndërpreu më pas bashkëpunimin me të, duke deklaruar se informacionet e reja kishin forcuar dyshimet për përfshirjen e teknologjisë në procesin e shkrimit. Orelien, nga ana e tij, deklaroi për gazetën franceze “Libération” se e kishte përdorur IA-në vetëm për kërkime, duke mohuar se e kishte përdorur për të shkruar romanin.
Rasti ka rikthyer në vëmendje çështjen e transparencës së autorëve dhe nevojën për rregulla më të qarta nga botuesit dhe juritë letrare, veçanërisht kur bëhet fjalë për dallimin mes përdorimit të IA-së si mjet ndihmës dhe krijimit të drejtpërdrejtë të tekstit nga kjo teknologji.
Fituesi do të përfitojë botimin e veprës
Sipas organizatorëve, juria e “Prix Pascal” do të përzgjedhë dhjetë finalistët në fund të nëntorit, ndërsa fituesi pritet të shpallet në fillim të dhjetorit.
Përveç shpërblimit financiar, autori fitues do të përfitojë botimin e veprës dhe ekspozim mediatik.
Me këtë nismë, Franca i hap një hapësirë të re krijimtarisë letrare të mbështetur nga inteligjenca artificiale, në një kohë kur sektori i botimeve kërkon të përcaktojë se si kjo teknologji mund të integrohet në letërsi pa lënë pas dore çështjet e autorësisë, origjinalitetit dhe përgjegjësisë krijuese.
Burimi: RTKLive




