Fotografia më e mirë e Holly Lyntonit

Fotografia më e mirë e Holly Lyntonit

Fotografia më e mirë e Holly Lyntonit

“Les nuk mbante doreza sepse duhej t’i ndiente bletët që të mos i shtypte. ‘A t’i vë në fytyrë?’ – tha ai. ‘Patjetër!’ – iu përgjigja”.

Sponsor 3M Express

Intervistë me fotografen Holly Lynton
Intervistoi: Chris Broughton / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Pikënisja për serinë time Duarthatë [Bare Handed] ishte një zog që ngeci në rrjetën rreth shkurreve të mjedrës në oborrin tim. Kjo më bëri të mendoja për problemin që kanë njerëzit në ndërveprimin me botën natyrore. Si ia dalim të sigurojmë ushqimin dhe gjërat e tjera që na duhen, duke mbetur njëkohësisht kujdestarë të mirë të tokës? Kisha parë vepra të fotografëve që tregonin se si Agrobiznesi i Madh po e shkatërronte mjedisin. Doja të gjeja njerëz që kishin një qasje respektuese, që përpiqeshin të punonin në harmoni me të, por që mund të gjendeshin në një situatë të frikshme ose të rrezikshme.

Iu afrova Lesit, burrit në këtë fotografi, pasi fola me drejtorin e një hapësire ekspozimi në Albukerki, Nju-Meksiko, i cili e kishte punësuar për të hequr nga pema e tij një koshere të bletëve të egra. Veçse kisha provuar të fotografoja një bletar tjetër që mbante një kostum të plotë mbrojtës, por ai mund të dukej edhe si astronaut. Me Lesin munda të qëndroja pranë dhe të punoja me të për tri ditë. Dy ditët e para përfshinin fotografi të drejtpërdrejta dokumentare të tij duke u kujdesur për kosheret. Pastaj, ditën e tretë, nxënësja e tij Amber erdhi për të ndihmuar.

Lesi e kishte bletën mbretëreshë në një kafaz në xhepin e këmishës dhe i kërkoi Amberës ta nxirrte. Kudo që ndodhet mbretëresha, pjesa tjetër e kolonisë do të mblidhet në tufë. Kam bërë një fotografi ku Lesi dhe Ambera janë bashkuar nga bletët, dhe ai ishte momenti im “aha!” Ambera e nxori mbretëreshën dhe e vendosi në dorën e Lesit, dhe aty shkuan më pas bletët. Ai më pa me duart plot me bletë dhe tha: “A t’i vë në fytyrë?” I thashë: “Patjetër!”

Lesi i ngriti ngadalë duart drejt fytyrës. Bletëve nuk u pëlqejnë qimet, prandaj nuk janë në mjekrën e tij ose në majë të kokës. Ai i mbylli sytë për disa minuta, ndërsa unë fotografoja. Më pas tha: “E di ti se nuk dëgjoja asgjë tjetër përveç zukatjes.” Nuk mendoj se e kishte bërë ndonjëherë më parë këtë. Njerëzit ndonjëherë kanë idetë e tyre, dhe unë thjesht i ndjek. Një nga arsyet pse më pëlqen të kaloj pak kohë me ta është se, kur janë të përfshirë në punë, është pothuajse si të shohësh një vallëzim dhe të presësh gjestin e duhur.

“Lesi duarthatë, bletët” [Bare Handed Les, Honeybees]Foto: Holly Lynton

Lesi nuk mbante doreza kur merrej me bletët. Tha se duhej të ishte në gjendje t’i ndiente që të mos i shtypte dhe se ishte tepër vapë për të veshur kostumin. Unë vesha një këmishë që mbyllej fort me kopsa te kyçet dhe provova të mbaja edhe një vello bletari, por hoqa dorë pasi e pata të vështirë të fokusohesha përmes rrjetës. Një bletë më zukati në vesh dhe m’u desh të largohesha derisa pushoi.

Po përdorja një aparat analog fotografik me format të mesëm dhe bletët po më binin edhe në duar teksa shikoja përmes objektivit. Mund t’i ndieja, por nuk mund t’i shihja. Ishte shqetësuese, por Lesi më këshilloi thjesht të lëvizja ngadalë, siç bënte ai. Kjo funksionoi: nuk më pickoi asnjë bletë.

Për njëfarë kohe, fotografia e Amberës dhe Lesit të bashkuar nga bletët ishte ajo që parapëlqeja. Shqetësohesha se bletët në fytyrën e tij mund t’u dukeshin njerëzve të tepruara. Temat e projektit u përforcuan shpejt kur fotografova ujq në një strehimore bashkë me kujdestarët e tyre dhe më pas dola me një familje në zonat rurale të Oklahomës që kapte mustakë me duar. “Noodling” nënkuptonte kapjen e këtyre peshqve me duar të zhveshura – edhe pse mund të peshojnë 45 kilogramë dhe bëjnë rezistencë të fortë. E kuptova se asnjëri prej këtyre njerëzve nuk kishte frikë. Të gjithë ishin ekspertë në atë që bënin dhe, për ta, kjo ishte një praktikë shpirtërore dhe meditative. Kjo u bë fokusi i serisë.

Para se të filloja të ndiqja kurse fotografie, kisha ndër mend të bëhesha psikologe dhe shkrimtare. Por, ajo që dua te fotografia është se mund të krijosh rrëfime të dykuptimta, një histori me shumë shtresa brenda një kuadri të vetëm. Një pjesë e madhe e punës sime i referohet kujtesës kulturore. Në vend të dokumentimit të drejtpërdrejtë, synoj diçka më mitike, ndërsa gjestet të cilat ndodhin spontanisht ndonjëherë mund të duken sikur i referohen një miti të caktuar ose një aluzioni biblik. Kjo fotografi anon më shumë kah mitologjia greke, edhe pse nuk i referohet drejtpërdrejt një historie të caktuar. Lesi nuk është Odiseu, por, ashtu sikurse ai, zgjedh të dëgjojë në vend që të mbrohet, gjë që e bën të duket sikur, në njëfarë mënyre, është pjesë e Odisesë.

Lexo po ashtu:
– Fotografia më e mirë e Federico Veronesit
– Fotografia më e mirë e Chris Fallowsit: Një peshkaqen i bardhë i madh fluturues!
– Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Barbara Bosworthit
– Piktori në hije: Fotografia më e mirë nga Derry Moore
– Fotografia më e mirë e realizuar nga Richard Mosse: Autostrada e Amazonës nëpër ferr
– Fotografia më e mirë e Adam Fergusonit: Emigrantja që rrezaton qetësi
– Fotografia më e mirë e Jordi Barreras: Boshllëku i çuditshëm i qytetit që grumbullon pasuri!
– Fotografia më e mirë e Mous Lamrabatit
– Rrëfimi për jetën dhe fotografinë më të mirë të Dorothy Bohmit

Holly LyntonFoto: Holly Lynton

CV-ja e Holly Lynton

Vendi i lindjes dhe viti i lindjes: Bolder, Kolorado, 1972

Pika kulmore: Pikat kulmore ndodhin kur fotografitë e mia realizohen, dhe kur ekspozohen. Gjatë fotografimit, një pikë kulmore është kur gjithçka përputhet – drita, përmbajtja, kompozimi – dhe krijoj një imazh të papritur që e kapërcen çastin. Një imazh që ngjall aluzion, mister dhe mahnitje. Për sa u përket ekspozitave ose botimeve, shpesh është ajo që ka ndodhur së fundmi. Gjatë viteve të fundit, institucione kaq të ndryshme si Muzeu Nelson-Atkins në Kanzas-Siti dhe Katedralja e Bristolit në Angli kanë ekspozuar punën time. Jam mirënjohëse që institucionet u kanë mundësuar njerëzve me prejardhje dhe këndvështrime shumë të ndryshme t’i shohin fotografitë e mia. Të flas me shikuesit dhe të dëgjoj reagimet e tyre ka qenë një dhuratë e vërtetë. Libri im Duarthatë [Bare Handed], i botuar nga L’Artiere, ishte një tjetër pikë kulmore.

Këshilla kryesore: Pikërisht tani, kërkimi i autenticitetit në vend të artificialitetit më duket thelbësor dhe është diçka që do t’i nxisja fotografët ta ndërmerrnin. Do të thosha gjithashtu se nuk ekziston diçka e tillë si kureshtja e tepërt (edhe pse disa njerëz mund t’ju bëjnë të mendoni të kundërtën). Mos kini frikë ta ndryshoni mendjen për atë që po punoni, për kuptimin që qëndron pas saj ose për mënyrën se si do ta realizoni. Unë parapëlqej ta quaj këtë riformulim. Ndiqni intuitën tuaj. Dhe, gjeni kënaqësi në praktikën e krijimit të punës dhe të qenit krijues. Do të ketë çaste të vështira dhe çaste që duken si dështime, por rëndësi ka rrugëtimi, jo qëllimi përfundimtar. /Telegrafi/

Lexo edhe

Hapet konkursi për specializime, në dispozicion 313 vende për mjekët

Hapet konkursi për specializime, në dispozicion 313 vende për mjekët

Vendos Supremja: Policia s’mund t’ua konfiskojë shoferëve patentë-shoferin më shumë se 8 ditë

Vendos Supremja: Policia s’mund t’ua konfiskojë shoferëve patentë-shoferin më shumë se 8 ditë

Prizreni pret edicionin e 15-të të garës “Balkan Green Ideas”, do ndahen 20 mijë dollarë për bizneset e gjelbra

Prizreni pret edicionin e 15-të të garës “Balkan Green Ideas”, do ndahen 20 mijë dollarë për bizneset e gjelbra

Fotografia më e mirë e Holly Lyntonit | Momenti