Pa floktar, pa prerje dhe pa produkte të shtrenjta! Një ndryshim i thjeshtë në mënyrën e krehjes i ngre flokët nga rrënja dhe krijon më shumë volum

Nëse kohët e fundit keni vënë re se flokët tuaj duken më të hollë, të sheshtë dhe pa jetë, ekziston një mënyrë e thjeshtë për t’u dhënë menjëherë më shumë volum. Nuk keni nevojë për parukier, tharje të ndërlikuar apo produkte të kushtueshme. Mjafton të ndryshoni anën ku e bëni vijën ndarëse të flokëve.
Kur i krihni flokët për një kohë të gjatë në të njëjtën anë, ato priren të qëndrojnë të shtrira në atë drejtim. Si rezultat, flokët pranë rrënjëve mund të duken më të rrafshuara dhe pa volum.
Duke e zhvendosur vijën ndarëse në anën e kundërt, flokët ngrihen natyrshëm nga rrënja, duke krijuar përshtypjen se janë më të dendur dhe më të plotë.
Një ndryshim i vogël që mund të bëjë dallim të madh
Avantazhi më i madh i këtij truku është se kërkon vetëm disa sekonda.
Nëse prej vitesh i ndani flokët në anën e majtë, provoni t’i ndani në të djathtën. Mund të eksperimentoni edhe me një ndarje më të thellë anësore, e cila krijon më shumë volum në pjesën e sipërme të kokës.
Edhe pse ndryshimi është minimal, efekti vizual mund të jetë mjaft i dukshëm, veçanërisht te flokët e hollë që humbasin shpejt volumin.
foto: shotprime
Provoni edhe ndarjen zigzag
Një tjetër mënyrë për t’i bërë flokët të duken më të dendur është ndarja në formë zigzagu.
Në vend të një vije plotësisht të drejtë, përmes së cilës lëkura e kokës mund të duket më qartë, ndarja zigzag bën që flokët të bien në drejtime të ndryshme.
Kjo mund t’i bëjë më pak të dukshme zonat ku flokët janë më të rralla, duke krijuar një pamje më natyrale dhe më voluminoze.
Për një efekt edhe më të theksuar, mund t’i ngrini lehtë flokët te rrënjët me gishta ose t’i thani për pak çaste me tharëse në drejtim të kundërt nga ai ku i mbani zakonisht.
Kur flokët e hollë nuk janë vetëm çështje frizure
Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet një truku estetik dhe rrallimit të vërtetë të flokëve.
Ndryshimi i vijës ndarëse nuk e ndalon rënien e flokëve dhe as nuk e shton numrin e tyre. Ai thjesht krijon një efekt të menjëhershëm vizual, duke i bërë të duken më të plotë.
Nëse vëreni rënie të papritur ose të theksuar të flokëve, shfaqjen e zonave pa flokë, kruarje apo ndryshime të tjera në lëkurën e kokës, këshillohet konsultimi me dermatologun për të përcaktuar shkakun.
Ndonjëherë, për t’i dhënë një pamje të re frizurës, nuk nevojitet asnjë produkt i ri. Mjafton ta ndryshoni mënyrën si i ndani flokët. /Telegrafi/




