Sulmuesi brazilian, i cili kohëve të fundit kishte pasur probleme me lëndime, nuk kishte më energji për ta vazhduar ndeshjen, duke e detyruar stafin teknik ta largonte nga loja pak para golit vendimtar të madrilenëve.
Barcelona pësoi një humbje të dhimbshme të dielën, pasi Real Madridi shënoi golin e fitores në minutën e 87-të. Ky gol erdhi vetëm një minutë pas zëvendësimit të Raphinhas.

Flick kishte planifikuar ta përdorte brazilianin në një pozitë më qendrore, si mesfushor ofensiv, në minutat e fundit, me synimin për ta kërkuar golin e fitores. Megjithatë, plani ndryshoi pasi futbollisti sinjalizoi se nuk mund ta vazhdonte më lojën.
“Dëshironim që në minutat e fundit ta përdornim Raphinhan si numër 10, por ai kërkoi të zëvendësohej”, deklaroi Flick.
Trajneri gjerman konfirmoi se gjendja fizike e sulmuesit ishte përkeqësuar pas problemeve që kishte pasur gjatë grumbullimit të fundit me kombëtaren.
“Ai nuk mund të luante më”, shtoi Flick, duke shpjeguar arsyen e largimit të brazilianit nga fusha.
Stafi mjekësor i Barcelonës do ta monitorojë gjendjen e futbollistit në ditët në vijim, për të vlerësuar rikuperimin e tij dhe gatishmërinë për ndeshjet e ardhshme.
Mungesa e energjisë në “El Clasico” erdhi në një moment kur Raphinha po kalon formë të shkëlqyer në kampionat.
Braziliani ka realizuar 13 gola në nëntë paraqitje në La Liga këtë sezon, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës katalanase.
Burimi: RTKLive




