Në konferencën për media para përballjes së shumëpritur, tekniku gjerman nënvizoi rrezikun që paraqet kundërshtari, veçanërisht në fazën ofensive, ku madrilenët kanë dëshmuar cilësi të mëdha në ndeshjet e fundit.
“Shpresoj që Real Madridi të hyjë në këtë ndeshje me shumë vetëbesim, sepse, në fund të fundit, është një klub i madh, me lojtarë të jashtëzakonshëm dhe gjithashtu me një trajner të shkëlqyer”, deklaroi Flick.

Ai theksoi se Barcelona duhet të jetë e përgatitur maksimalisht për t’u përballur me cilësitë individuale dhe potencialin sulmues të rivalit të përjetshëm.
“Ky është vlerësimi im për kundërshtarin. Ata kanë lojtarë fantastikë, me cilësi teknike të jashtëzakonshme, veçanërisht në fazën e fundit të sulmit. Në ndeshjet e fundit kanë treguar se sa të fortë janë në këtë aspekt”, u shpreh trajneri i Barcelonës.
Flick bëri të qartë se kujdesi taktik dhe përgatitja e duhur do të jenë elemente thelbësore për skuadrën e tij në këtë përballje.
“Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur mirë për t’u përballur me ta. Pikërisht kjo na nevojitet për ndeshjen e nesërme”, përfundoi tekniku gjerman.
“El Clasico” pritet të jetë një tjetër përballje spektakolare mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, ku Barcelona dhe Real Madridi synojnë të dëshmojnë forcën e tyre në një nga rivalitetet më të mëdha të futbollit botëror.
Burimi: RTKLive




