Në një ceremoni solemne që u zhvillua sot në hapësirat e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë së UP-së, është përuruar ferma didaktike që do t’u ofrojë punë praktike studentëve të këtij fakulteti dhe bashkëpunim fermerëve kosovarë dhe sektorit të industrisë së produkteve bujqësore.

Ferma e financuar dhe ndërtuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, nëpërmjet programit Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore, një nisme të përbashkët me Qeverinë e Kosovës, u përurua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, përfaqësuesja e SDC-së, znj. Ardiana Efendiu-Zhuri dhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof. Arben Musliu, shkruan Telegrafi.
E për këtë përurim ka reaguar edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se përurimi i Fermës Didaktike shënon një hap të rëndësishëm në lidhjen e arsimit me përvojën praktike dhe inovacionin.
“Zvicra është krenare që mbështet këtë iniciativë, duke investuar në njerëz dhe ide që formësojnë një të ardhme më të qëndrueshme për bujqësinë, burimet ujore, sistemet ushqimore, mjedisin dhe shkencat veterinare të Kosovës” thuhet në njoftim./Telegrafi/




