Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte kallëzuar penalisht zyrtarin kryesor financiar të Telekomit, Feim Kelmendin, nën dyshimin për kanosje dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave. Por, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë kallëzimin, duke vlerësuar se në veprimet e tij nuk janë përmbushur elementet e këtyre veprave penale.

Rasti lidhet me një borxh prej 47 mijë e 822 eurosh që Telekomi i Kosovës pretendonte se Këshilli Prokurorial i kishte akumuluar për shërbimet telefonike dhe të internetit, shkruan Insajderi.
Sipas aktvendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 18 tetor, kallëzimi penal ishte dorëzuar nga Këshilli Prokurorial më 27 mars të këtij viti, kundër Feim Kelmendit, ushtrues i detyrës së zyrtarit kryesor të financave dhe thesarit në Telekom.
KPK-ja e akuzonte Kelmendin për kanosje dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
Megjithatë, prokuroria në Prishtinë pas shqyrtimit të kallëzimit, provave dhe dokumentacionit përcjellës, ka konstatuar se nuk janë plotësuar elementet e këtyre veprave penale.
Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se çështja në fjalë ka të bëjë me një mosmarrëveshje kontraktuale të natyrës juridiko-civile dhe se nuk është konstatuar se Kelmendi ka kryer vepër penale.
Në reagimin e tij pas pranimit të njoftimit nga Prokuroria, Feim Kelmendi ka thënë se nuk kishte qenë fare në dijeni se ndaj tij ishte ngritur kallëzim penal. Madje, ai ka ironizuar për rastin me lopë, pronarin e së cilës e arrestuan pasi kafsha ishte futur në oborrin e gjykatës.
“Kurgjo puna e atij mixhes qe kishin arrestu qe i ka hy lopa ne oborr t’gjykates cka koka kan kah me gjene mu t’shkretin“, ka thënë ndër të tjera në reagim.
Sipas tij, pas disa kërkesave dhe komunikimeve, KPK-së i ishte dhënë mundësia që ta caktonte vetë një afat për pagesë. Në të kundërtën, ai kishte paralajmëruar ndërprerjen e shërbimeve dhe nisjen e procedurave përmbarimore për inkasimin e borxhit.
Kelmendi e ka konsideruar absurde që një paralajmërim i tillë të interpretohej si kanosje ndaj zyrtarëve publikë.
Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në përgjigjen për Insajderin, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.
KPK-ja pretendon se Telekomi kishte filluar që nga viti 2022 të kërkonte pagesën e borxheve të vitit 2012, për të cilat, sipas këtij institucioni, faturat nuk ishin proceduar brenda afateve ligjore.
Sipas KPK-së, këto kërkesa ishin parashkruar dhe institucioni nuk kishte bazë ligjore për t’i proceduar pagesat. Për këtë arsye, Këshilli thotë se e kishte njoftuar edhe Kelmendin.
KPK-ja pretendon se, pavarësisht njoftimeve dhe takimeve, Kelmendi kishte dërguar emaila me paralajmërime për ndërprerje të shërbimeve më 3 shkurt, 26 mars dhe 6 maj 2026. Përveç dërgimit të emailave kërcënuese me datë 13 mars, KPK thotë se Kelmendi ka bërë ndërprerjen e disa shërbimeve, të cilat përfshijnë: shërbimet e telefonisë fikse nga Telekomi, shërbimin e kabllovikut si dhe shërbimin e WiFi.
“Ndërprerja e këtyre shërbimeve ka prekur Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Prokurorinë Themelore në Gjilan, Prokurorinë Themelore në Prizren, Prokurorinë Themelore në Gjakovë“, ka thënë KPK në përgjigje, duke shtuar se ndërprerja e tyre ka ndikuar drejtpërdrejtë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese të sistemit prokurorial.
Këshilli gjithashtu i është referuar një vendimi të Gjykatës Komerciale, të 11 shtatorit 2026, të cilin thotë se e kishte pranuar më 13 tetor. Sipas KPK-së, me këtë vendim kishte fituar rastin në raport me Telekomin dhe veprimet e Kelmendit për ndërprerjen e shërbimeve ishin në kundërshtim me ligjin.
KPK-ja, në përgjigjen për Insajderin, ka thënë se nuk komenton vendimet e prokurorëve të shtetit.
Feim Kelmendi është emër i përmendur disa herë për menaxhmentin e Telekomit të Kosovës, veçanërisht për çështjet financiare dhe kontratat e kësaj ndërmarrjeje publike.
Insajderi kishte raportuar në shkurt të vitit 2023 për emërimin e tij në krye të financave të Telekomit. Në atë kohë, Insajderi kishte publikuar edhe postimet e tij në rrjete sociale, përmes të cilave ai shprehte përkrahje për kryeministrin Albin Kurti.
Në nëntor të vitit 2024, Insajderi raportoi se ndaj Kelmendit, kryeshefes ekzekutive të Telekomit, Burbuqe Hana, dhe menaxheres së burimeve njerëzore, Hajrije Mustafa-Hykolli, ishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale. Kallëzimi ishte ngritur nga një ish-punonjës i Telekomit dhe lidhej me pretendime për pagesa për një kontratë pa marrëveshje dhe ndërprerje të marrëdhënies së punës në kundërshtim me ligjin.
Kelmendi në gusht të 2025-ës u përmend për zbatimin e kontratës kolektive në Telekom. Ai kishte reaguar ndaj këtij raportimi me komente fyese në adresë të gazetarëve të Insajderit.
Në tetor të vitit 2025, Insajderi kishte raportuar edhe për dorëheqjen e bordit të drejtorëve të Telekomit, duke iu referuar burimeve brenda ndërmarrjes, të cilat pakënaqësitë me menaxhmentin, ku bënte pjesë edhe Kelmendi, i lidhnin me largimin e bordit.
Ndërkaq, në maj të vitit 2026, Insajderi raportoi se Kelmendi kishte pranuar se Telekomi kishte nënshkruar kontrata me procedurë të negociuar në vlerë prej rreth 40 milionë eurosh, ndërsa kishte bërë të ditur se këto kontrata ishin nën hetim nga Prokuroria. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi





